Nxënësit e Kosovës vazhdojnë të shkëlqejnë në garat ndërkombëtare. Këtë herë nxënësit e shkollës Mehmet Akif në Prizren kanë fituar projekte ndërkombëtare në fushën e informatikës. Katër projekte janë pranuar në konkursin ndërkombëtar Infomatrix që mbahet në Rumani.
Drejtori i Mehmet Akif-Prizren Bujar Muzhaqi u shpreh se Infomatrix është një konkurs ndërkombëtar i projektit kompjuterik, dhe ka synim për të sjellë së bashku studentët më të mirë të IT në botë.
Ai më tej u shpreh se ndihet i lumtur që u pranuan katër projekte të nxënësve dhe ka shtuar se me këto projekte do të shkojnë në Rumani për të garuar kundër shumë shteteve. Muzhaqi beson se edhe në Rumani nxënësit e Kosovës do të zenë vendet e para.
“Eja, Mëso, Fito! Kjo mesa duket do të jetë motoja e re për nxënës dhe mësimdhënës të Kolegjit `Mehmet Akif`. Përmes sfidash të reja, me një staf të mirëpërgatitur e të motivuar dhe me një grup të mirë nxënësish me kapacitete të mrekullueshme, ia kemi dalë mbanë të kapim majat e suksesit të paimagjinueshme për shumëkend. Udhëheqësia, mësimdhënësit dhe nxënësit punojnë së bashku për një të ardhme të ndritur ku dituria, pasioni dhe hulumtimi premtojnë dhe sigurojnë një Kosovë të pastër, të sigurt e krenare për bijtë e bijat e saj.” u shpreh Bujar Muzhaqi.
Nxënësit e shkollave Mehmet AKif në Kosovë njihen në mbarë vendin për suksesin e tyre në arenën ndërkombëtare në lëndët shkencore. Madje kanë fituar medalje deri në Hong Kong në garën ndërkombëtare të matematikës dhe shumë bursa, qindra mijëra euro në universitetet më të mira në SHBA dhe Evropë.