Fjalë Kyçe

OBSH-ja i kërkon Evropës “të këndellet” në luftën kundër koronavirusit

OBSH-ja i kërkon Evropës “të këndellet” në luftën kundër koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shpërthimi i rasteve të reja në Evropë duhet të jetë si thirrje për këndellje në betejën ndaj koronavirusit. OBSH-ja ka bërë të ditur se në dy javët e fundit numri i rasteve të reja është dyfishuar nëpër shtetet e Evropës.

Sipas OBSH-së, vetëm në javën e fundit janë konfirmuar 300 mijë raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i rasteve javore ka tejkaluar gjendjen në të cilën ishte Evropa gjatë muajit mars, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje Evropës që ta shpeshtojë testimin me qëllim që të parandalojë përhapjen e mëtejme të COVID-19. Të dhënat e fundit kanë treguar se në Evropë janë 5 milionë raste dhe 228 mijë të vdekur nga koronavirusi.

E mbi 30 milionë njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri në nivel global, ka njoftuar Universiteti Johns Hopkins me seli në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 940,000 kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në Kinë, në fund të vitit të kaluar. Vendet më të goditura janë SHBA-ja, India dhe Brazili, por ka një rritje të numrit të të infektuarve në të gjithë Evropën.

Shumë vende tani po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë, ndërsa dimri po afrohet.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria po konsideron marrjen e masave të mëtejshme në të gjithë Anglinë, duke përfshirë një periudhë të shkurtër izolimi, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Jashtë Evropës, Izraeli ka vendosur një bllokim të dytë mbarëkombëtar – vendi i parë i zhvilluar që e bën këtë. Afrika ka regjistruar më shumë se një milion raste të konfirmuara, megjithëse nuk dihen përmasat e vërteta të pandemisë në këtë kontinent. Shkalla e testimit raportohet të jetë e ulët, gjë që mund të shtrembërojë shifrat zyrtare.

Izraeli po fillon një izolim të dytë mbarëkombëtar për të frenuar rastet e koronavirusit.

Masa po zbatohet derisa qytetarët fillojnë të shënojnë Vitin e Ri Hebre. Kjo festë tradicionalisht shënohet përmes takimeve të mëdha, familjare.