Fjalë Kyçe

OBSH thotë se “amnezia” do të çojë në pandemi të re

OBSH thotë se “amnezia” do të çojë në pandemi të re

Eksperti kryesor i emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se bota rrezikon pandemi të reja nëse përjeton “amnezi” dhe nuk mëson nga kriza aktuale e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit të ri.

Mike Ryan në një konferencë shtypi në Gjenevë tha se ‘harresa’ duket se po ndikon në botë pas një ngjarje traumatike.

“Por nëse e bëjmë përsëri siç bëmë pas SARS, pas virusit H5N1, pas pandemisë H1N1, nëse vazhdojmë të injorojmë se çfarë patogjenë të rinj dhe të rrezikshëm mund t’i bëjnë civilizimit tonë, atëherë ndoshta do të përjetojmë të njëjtën gjë ose më keq përsëri për pjesën tjetër të jetës sonë,” tha ai.

Ndërsa, udhëheqësi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje shteteve të mos politizojnë hetimin mbi burimin e koronavirusit, duke thënë se kjo do të krijonte pengesa për gjetjen e së vërtetës.

“Ne duhet të dimë origjinën e virusit pasi mund të na ndihmojë të parandalojmë infeksionet në të ardhmen. Nuk ka asgjë për të fshehur. Ne duam të dimë origjinën dhe kaq”, tha ai./kp