Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur të enjten se vaksinat që aktualisht po përdoren kundër COVID-19, janë efikase në luftimin e të gjitha varianteve të shfaqura deri më tani të koronavirusit.
Shefi i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, ka thënë se autoritetet shëndetësore duhet që megjithëkëtë të jenë vigjilente ndaj ngritjes së rasteve me variantin indian, por ka shtuar se vaksinimi dhe masat e izolimit mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së variantit indian.
Shtetet evropiane janë duke u vaksinuar me dozat e kompanive “Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson and Johnson”, ndërkaq varianti indian është përhapur në së paku 26 shtete të Evropës.
Sipas OBSH-së, përhapja e virusit në Evropë në muajt e fundit ka filluar që të bjerë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të fushatës së imunizimit.