Fjalë Kyçe

OKB: Sulmet izraelite mund të klasifikohen si krime lufte

OKB: Sulmet izraelite mund të klasifikohen si krime lufte

Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara ka thënë të enjten se sulmet ajrore të Izraelit mbi Gazë, mund të cilësohen si krime lufte teksa ka specifikuar se edhe grupi militant Hamas ka shkelur të ligjin ndërkombëtar humanitar kur nisi sulmet me raketa ndaj Izraelit.

Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara ka verifikuar vdekjen e 270 palestinezëve në Gazë, Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

Në mesin e të vdekurve janë 68 fëmijë. Shumica e tyre kanë vdekur në Gazën që për 11 ditë u bombardua nga Izraeli. Ndërkaq, nga raketat e Hamasit të vdekur kanë mbetur 11 izraelitë.

Kombet e Bashkuara kanë nisur hetimet për krimet e mundshme të luftës dhe gjetjen e komandës përgjegjëse për konfliktin 11 ditor, që nisi me përplasjet e palestinezëve me ushtrinë izraelite në xhaminë “Al Aqsa”.

Hamasi ka goditur Izraelin me 4 mijë e 400 raketa, ndonëse shumica e tyre u shkatërruan nga sistemi mbrojtës izraelit “Iron Dome”.