“Është mëkat që artistët muzikorë ta kalojnë gjithë jetën e tyre profesionale pa u ngjitur asnjëherë në skenën e operës vendore”, thotë Zana Abazi-Ramadani, sopranoja nga Kosova, e cila deri më tash ka interpretuar role në skenat e operës në rajon, por jo në ato vendore.
Ajo dhe bashkëshorti i saj Edon Ramdani, dirigjent, janë në mesin e artistëve të muzikës, të cilët tash e dy dekada nuk kanë reshtur së kërkuari themelimin e institucionit të Operës së Kosovës.
Vendimi i Kuvendit të Kosovës, i 3 gushtit të vitit 2021, për themelimin e Operës së Kosovës dhe koncerti i parë inaugurues i këtij institucioni, më 1 nëntor të këtij viti, në të cilën sopranoja Zana Abazi-Ramadani u paraqit si soliste, nga çifti i artistëve Ramadani ishin përjetuan si festë.
Por, edhe pas themelimit të këtij institucioni, brenga e artistëve muzikorë në përgjithësi, vazhdon të mbetet lidhur me atë se a do të mund të sigurojë Opera e Kosovës objektin e përshtatshëm që do të quhet Teatri i Operës, e të cilin, artistët e muzikës presin ta kenë si shtëpi të dytë të tyren.
Abazi-Ramadani: Themelimi i Operës, ditari më i bukur i jetës sime
Sopranoja Abazi-Ramadani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se institucioni i Operës së Kosovës ka qenë ëndërr dhe kërkesë e artistëve të muzikës dhe artdashësve në përgjithësi. Siç thotë ajo, artistët e muzikës klasike, në këtë rast edhe ajo dhe bashkëshorti saj Edoni, për vite të tëra u është dashur që të ndjekin mënyra të tjera alternative për një shfaqje të artit operistik.
“Është dashur të shkojmë në shtete të ndryshme që ta realizojmë ndonjë rol, për shkak të mungesës së institucionit të Operës këtu. Së pari, në koncertin inaugurues, të them të drejtën, isha shumë e lumtur dhe e privilegjuar. Për mua ishte ndjenjë fantastike që pata rastin të jem soliste në një nismë kaq të rëndësishme historike dhe si një rrugëtim që do të më shfaqet çdo ditë si muzikante. Si të ishte një dhomë rrëfimi dhe si ditari më i bukur i jetës sime”, thotë sopranoja Abazi-Ramadani.
“Shfaqje operistike në ambient të hapur”
Ngjashëm e kishte përjetuar themelimin e Operës së Kosovës edhe dirigjenti, Edon Ramadani.
Sipas tij, koncerti ishte një dhuratë e artistëve për inaugurimin e Operës.
Ramadani është pjesë e Këshillit përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës.
Ai shprehet mjaft optimist se pas krijimit të strukturave të këtij institucioni, gjatë vitit të ardhshëm do të mund të inskenohen një ose dy shfaqje. Megjithatë, sipas tij, për shkak të mungesës së objektit adekuat, problem mbetet se ku do të inskenohen shfaqjet.
“Ato nuk mund të jenë konstante dhe përhershme, sepse do të varemi prej sallave të caktuara me mundësi të kufizuara. Në Prishtinë nuk kemi një të tillë. Por, ndoshta si opsion mund të jetë mbajtja e një shfaqjeje në një ambient të hapur, gjë që gjithashtu do të jemi të kufizuar me sezone dhe ajo nuk mund të zgjasë përgjithmonë”, thotë Ramadani.
Ferati: Pas krijimit të strukturave, duhet menduar për objektin
Meriton Ferati, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Këshilli përgatitor tashmë e ka përfunduar dhe dorëzuar statutin e Operës në Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, tashmë rregulloret janë përfunduar dhe është hapur konkursi për logon e Operës, ndërkaq në radhë janë për t’u punuar plani vjetor dhe organogrami për vitin 2022, që do t’i dërgohen po ashtu Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të hapen sa më shumë kode buxhetore për stafin e brendshëm dhe për artistët.
Ferati thotë se lidhur me objektin për Operën e Kosovës ose një Teatri të Operës dhe Baletit, ka pasur nisma që nga viti 2003, por të cilat janë lënë në gjysmë ose kanë dështuar.
“Paralelisht, është menduar që të krijohen strukturat të punohet për objektet ekzistuese, sepse ka pasur shumë takime, të cilat mund të jenë ato që i plotësojnë kushtet. Pra, që ta kemi përfundimisht objektin ose edhe të ndahet një truall i ri që të mos ndalemi së kërkuari dhe të caktohet, vendoset, të fillohet me ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit”, thotë Ferati.
MKRS: Opera e Kosovës nuk do të ngelet pa objekt
Statuti i Operës së Kosovës dhe rregullorja e parë për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm tashmë janë duke u shqyrtuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë Liburn Jupolli, këshilltar i ministrit të këtij dikasteri, Hajrulla Çeku.
Sipas tij, në nivel të infrastrukturës, kjo ministri tashmë është duke ndërmarrë disa hapa afatshkurta dhe afatmesëm, të cilat përveç Operës, prekin edhe Filarmoninë e Kosovës dhe institucionet tjera kulturore.
Hapi i parë sipas tij, është nënshkrimi i një marrëveshjeje me Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku Filarmonia, por edhe Opera e Kosovës do të vendosen në ambientet e këtij pallati, të cilat do të jenë të favorshme për punën e këtyre institucioneve, përfshirë sallat, lokacionet për zyra, fonotekë, arkiv dhe të tjera.
Në vitin e ardhshëm, thotë Jupolli, do të hapet konkursi për projektin e objektit të Teatrit të Operës. Për një projekt të tillë, sipas tij, është aplikuar në fondet e IPA-s apo Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, paraprakisht, puna do të bëhet në ambientet e riparuara në Pallatin e Rinisë, në qoftë se për këtë arrihet marrëveshja me Komunë e Prishtinës.
“Kështu që, ne realisht do të kemi shumë shpejt një shtëpi të Operës, sepse shtëpia e Operës nuk do të thotë vetëm Teatri, por nënkupton kushtet e punës, në mënyrë që njerëzit që merren me këtë profesion të mund të punojnë në kuadër të profesionit të tyre. Në kuadër të kësaj iniciative, ne vazhdojmë ta zhvillojmë këtë veprimtari, pra, nuk e lëmë jetime aty, me profesionistët që kanë kapacitet të punojnë. Në të njëjtën kohë i ndërmarrim të gjitha masat për ta pasur Teatrin (e Operës)”, thekson Jupolli.
Teatri s’ndalet as në kohën e pandemisë
Edon Ramadani: Megjithatë, jemi pa shtëpi
Çifti i artistëve muzikorë, Edon dhe Zana Ramadani, mbeten skeptikë për ndërtimin, të paktën për një kohë të shkurtë, të Teatrit të Operës, të cilin, siç thonë ata, do ta përjetonin si shtëpinë e tyre të dytë.
Madje dirigjenti Edon Ramadani, nuk pret që as objekti, siç e quan ai, i përkohshëm i Operës, të sigurohet për punë gjatë këtij viti. Ai, me një dozë humori, thotë që institucioni është formuar, por s’ka shtëpi.
“Megjithatë, ende jemi pa shtëpi. Natyrisht që deri në verë, nuk besoj që do ta kemi një objekt. Por, edhe nëse do ta kemi në vitin 2023 ose 2024 besoj që prapë do të ishte një lajm i mirë. Por, ende nuk kemi ndonjë premtim për ndonjë datë nga bartësit qeveritarë. Por… të shohim”, thekson dirigjenti Ramdani.
“Të plakesh pa shkelur skenën operistike”
Sopranoja Zana Abazi-Ramadani, thotë se frika e artistëve muzikorë është se ata, por edhe gjeneratat e ardhshme, mund të mbesin pa objekt të Teatrit të Operës. Por, sipas saj, frika më e madhe është se një sallë e përkohshme mund të improvizohet dhe më pas, puna të përfundojë me kaq.
“Nëse improvizohet ajo sallë, e atëherë të mbesim me atë sallë ndoshta edhe 20 vjet të tjera. Duhet t’i ruajmë koto gjenerata që janë tash. Jo pse jam unë. Por, frika më e madhe është se athua a do të vijë ndonjë gjeneratë më e mirë se kjo që është tash. Apo, do të vijë ajo gjeneratë dhe të gjithë do të ikin dhe të shkojnë jashtë vendit. Dhe unë do të plakem pa e shkelur asnjëherë skenën operistike. Kjo është dhimbshme shumë, sikurse një doktor të doktorojë dhe asnjëherë të mos e kryejë asnjë operacion”, thotë Abazi-Ramadani.
Arsyet e të dy artistëve për të qenë skeptikë, datojnë që nga viti 2003 kur ishte shfaqur nisma për ndërtimin e një Teatri të Operës dhe Baletit ende pa u themeluar si institucion.
Në vitin 2006, madje ishte ndarë edhe një parcelë në Prishtinë, me qëllimin e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Në vitin 2009, ishte vënë gurthemeli i këtij objekti, por puna për ndërtimin e tij pati ngelur në themel.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndër vite kishte dështuar ta vazhdojë punën, qoftë për shkak të implikimeve buxhetore që parashihnin investim të 30 milionë eurove, qoftë për shkak të problemeve ligjore lidhur me pronësinë e parcelës ku ishin vendosur themelet e objektit. Në vitin 2016, sërish kishte premtime për ndërtimin e Teatrit të Operës, por që më pas punë konkrete nuk pati.