Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se vendet e Grupit të Vishegradit duhet të jenë të bashkuara me qëllim që t’i kundërvihen diskriminimit me të cilin po përballen në Bashkimin Evropian, thuhet në një reagim të shefit të Qeverisë në Budapest adresuar “KOHËS” nga Ambasada hungareze në Kosovë.
Nëpërmjet një letre, Orbani i është kundërpërgjigjur Mikulas Dzurindas, ish-kryeministrit të Sllovakisë, njëherësh shefi i Qendrës për Studimeve Evropiane “Wirfried Martens”, të publikuar në uebfaqen e tij.
Dzurinda ka kundërshtuar të martën propozimin që kishte bërë Orbani në një intervistë për portalin informativ sllovak, “postoj.sk”, duke theksuar se Katërshja e Vishegradit (V4) duhet të angazhohet për transformimin e boshtit franko-gjerman të Bashkimit Evropian në një qendër fuqie me tri shtylla të bashkëpunimit franko-gjerman-V4.
Grupi i Vishegradit përbëhet nga Hungaria, Sllovakia, Çekia dhe Polonia, që të gjitha shtete anëtare të BE-së. “Kjo natyrisht se është e mundshme vetëm nëpërmjet lidershipit polak të V4-shes, por kjo nuk është arsyeja e Mikulashit për refuzimin e nismës.
Sipas teorisë së tij, propozimi im vetëm sa do ta ngriste fragmentimin e brendshëm të Bashkimit Evropian, duke çuar drejt ndarjes së mëtejshme, e jo unitetit”, thuhet në reagimin e liderit të Qeverisë së Hungarisë.
“Çështja megjithatë nuk është e natyrës teorike, por më shumë e asaj praktike. “Është fakt se vendet e V4-shes nuk ia kanë dalë të menaxhojnë si duhet avancimin e interesave të tyre brenda kornizës së BE-së. Është fakt se ne, evropiano-qendrorët, jemi subjekt të diskriminimit masiv. Çfarë po them është se nëse nuk ndërmarrim hapa – më të fuqishëm dhe bashkërisht – kjo situatë nuk do të ndryshojë”, ka shkruar Orban.
Duke iu referuar të dhënave të vitit 2016, Orban ka thënë se sipas garniturës aktuale të tregut të brendshëm të BE-së, një qytetar francez merr të hyra vjetore ekstra në vlerë prej 1.074 eurosh, derisa një shtetas gjermane 1.046 euro, krahasuar me 539 euro të hyra ekstra në vit që i ndahen një shtetasi sllovak dhe 408 euro një qytetari hungarez. “Shpërputhja në programet e BE-së të menaxhuar nga qendra (si, “Horizonti 2020”) nuk është thjesht e mjerueshme – është poshtëruese”, ka thënë Orban.