Organizata gjermane “Help-Hilf zur Selbsthilfe” ka ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike 274 familje në nevojë në Mitrovicë. Kjo u bë e ditur nga Komuna e Mitrovicës.
“Në vazhdën e ofrimit të mbështetjes për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi Covid-19, Organizata gjermane Help-Hilfe zur Selbsthilfe Misioni në Kosovë, ka ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike 274 familje në nevojë sociale në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast kryetari Bahtiri falënderon organizatën në fjalë për ndihmën e ofruar, duke thënë se është shumë e nevojshme në këtë kohë pandemie, dhe se do të ndihmojë që sadopak t’ua përmbush nevojat e familjeve me asistencë sociale.
Shpërndarja e këtyre pakove është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, dhe kryesisht janë ndihmuar familjet në lagjen “2 Korriku”, Tunel i Parë, Shipol si dhe fshatrat Stantërg dhe Qabër.