Prishtinë, 2 maj – Orkestra e të Rinjve të Kosovës të mërkurën ka udhëtuar drejt Belgjikës për të përfaqësuar për të dytën herë Kosovën në Festivalin Evropian Muzikor të të Rinjve, në Neerpelt. Para dy vjetësh në mesin e 200 shteteve, falë punës së instrumentistëve të rinj së bashku me dirigjentin dhe drejtorin, Kushtrim Gashi, ky formacion ishte kthyer me çmimin e dytë në kategorinë e orkestrave simfonike.
Ndër sfidat që u janë përsëritur edhe sivjet është përkrahja financiare. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahje të projekteve kulturore, rezultatet e të cilit u bënë të njohura më 20 mars, këta janë shpallur në mesin e organizatave fituese, por pjesën tjetër të shpenzimeve e kanë vetë për barrë.
Gashi ka thënë se financimin vazhdojnë ta kenë problemin kryesor.
“Deri tani kemi vetëm një konfirmim nga MKRS-ja që na ka përkrahur me një shumë goxha solide dhe jemi në pritje të konfirmimeve të tjera nga ato vende ku e kemi dërguar projektin”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, pagesa e vizave ka qenë dhe është një barrë e shtetit, por është dashur ta paguajnë vetë instrumentistët. I gjithë grupi kishte nisur provat javore në fillim të muajit shkurt. Një ndër arsyet ka qenë mungesa e vendeve ku t’i mbanin ato.
Orkestrat pjesëmarrëse në festivale kanë për obligim që të paraqiten me programe deri në 25-minutëshe.
“Në repertor i kemi veprat: ’Albanian Overture’ nga Hajrullah Syla, ‘Valle hungareze 5 dhe 6’ nga Johannes Brahms dhe ‘Simfonia nr.8’, koha e parë të Franz Schubertit”, ka thënë ai.
“Kosovo Youth Orchestra” kësaj here paraqitet me një grup prej 43 instrumentistësh. Për të plotësuar numrin e violinistëve dhe violonçelistëve kanë marrë instrumentistë nga Shqipëria e Maqedonia.