Sot ka ditëlindjen shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, për çka urime ka marrë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Pëmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka shkruar që “Kosova i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij”.
“Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë. I tillë është shkrimtari ynë Ismail Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve”.
“Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë”.
Tutje Osmani ka thënë se bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij.
“Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij. E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër! Paç shëndet”, ka thënë Osmani.