Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të partisë, Lutfi Hazirin, me të cilin ka pasur përplasje publike.
Osmani në emisionin Pressing të Televizionit 7, i ka dhënë një mesazh Hazirit, që tashmë e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të partisë.
“Ia them të gjithëve e edhe atij. Unë luftën nuk e kam me LDK-në dhe as me Lutfi Hazirin. Unë luftën e kam me partitë e tjera”, ka thënë Osmani.
Deputetja e LDK-së thotë se Haziri ka zgjedhur rrugën e gabuar, nëse mendon se do të fitojë përkrahje duke bërë fushatë kundër saj.
“Nuk e di pse ai e ka zgjedhur këtë rrugë por besoj se është rrugë e gabuar sepse askush nuk mund fitoj me platformë anti Vjosë”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje ka thënë se ai që pretendon të bëhet kryetar i LDK-së duhet të tregojë se si e sheh shtetin e Kosovës me kufijtë ekzistues.
“Kjo është garë për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. Kushdo që e dëshiron këtë pozitë duhet të tregoj se si e sheh ai Kosovën një ditë pas zgjedhjes”.
“Kjo është garë konceptesh. Tek e fundit secili duhet të tregoj si e sheh Kosovën shtet. A e sheh Kosovën shtet me kufijtë ekzistues”, ka shtuar ajo.
Dihet se Haziri përkrah ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës dhe kjo temë e ka përplasur atë më deputeten Osmani.