Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka vizituar sot parkun arkeologjik “Ulpiana”, nga ku është zotuar se me të në qeverisje do të ketë më shumë investime në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Osmani potencoi se është shumë e rëndësishme që secili në Kosovë ta dijë që ky park është pjesë themeltare e identitetit tonë.
“Është tepër më rëndësi që secili në Kosovë, por edhe gjeneratat e reja, nxënësit, studentët, ta kuptojnë që kjo është pjesë themeltare e identitetit tonë. Trashëgimia kulturore është prej ku fillon identiteti ynë, prandaj edhe duhet t’i kushtojmë kujdes të veçantë. Prandaj edhe duhet të sigurohemi që fëmijët qysh në moshë të hershme e vizitojnë këtë vend dhe vende të tjera të ngjashme, të cilat tregojnë jo vetëm për lashtësinë e popullit tonë po tregojnë edhe për qytetërimin të cilit ne i takojmë”, tha ajo.
Osmani u shpreh se gjatë qeverisjes së LDK-së, është investuar shumë në këtë park dhe gjatë asaj kohe është kurorëzuar hapja e këtij parku.
Ajo tha se pikërisht si parti e qendrës së djathtë, punojnë që të njihet rëndësia e trashëgimisë kulturore.
“Në qeverisjen tonë do të ketë rritje të investimeve në këtë fushë, në mënyrë që shumë thjeshtë të sillemi si e gjithë Evropa e qytetëruar. Pasi që në çdo vend të zhvilluar që shkojmë dhe sidomos ne që kemi jetuar për një kohë jashtë vendit e shohim që muzetë arkeologjik, vende të tilla, parqet arkeologjike janë vendet ku prindërit për herë të parë i dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar për trashëgiminë kulturore. Kështu që, bashkë më shumë profesionistë që i kemi në LDK do të kujdesemi që absolutisht të ketë investime shumë më të mëdha, por mbi të gjitha kujdes dhe vullnet politik për ta trajtuar si duhet këtë fushë”, u shpreh Osmani.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre gjatë ditës do të zhvillojë edhe aktivitete të tjera dhe takime me qytetarët.