Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit, Pal Lekaj i cili ka kërkuar largimin e ambasadorit zviceran.
Pacolli, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka treguar se është takuar me ambasadorin Jean Hebert Lebet, të cilit i ka shprehur mirënjohje të thellë të institucioneve të Kosovës për kontributinin e tij dhe shtetit që përfaqëson, shkruan Gazeta Alo.
Pacolli ka thënë se miqtë dhe aleatët kanë dhënë dhe po japin kontribut tê madh, për ardhmërinë e këtij vendi andaj të gjithë ne, duhet t’i dëgjojmë me shumë vëmendje këshillat dhe sugjerimet e tyre.
Postimi i tij i plotë:
Konfederata Helvetike, së bashku me SHBA, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe vendet tjera perendimore, ka mbështetur fuqishëm rrugëtimin e Republikës së Kosovës në të gjitha etapat.
Kontributi i Zvicrrës, ku kemi një diasporë të madhe me afërsisht 300 mijë qytetarë tanë, është i madh në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Ambasadorit Jean-Hebert Lebet, i shpreha mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës, për kontributin e tij dhe shtetit që përfaqëson.
Miqtë dhe aleatët kanë dhënë dhe po japin kontribut tê madh, për ardhmërinë e këtij vendi andaj të gjithë ne, duhet t’i dëgjojmë me shumë vëmendje këshillat dhe sugjerimet e tyre. Sa here kemi qenë bashkë me aleatët, kemi dalë fitimtar. Ne do të vazhdojmë bashkë dhe kemi çfarë të mësojmë nga një demokraci qindra vjeçare sikurse është Zvicrra./Gazeta Alo/