Fjalë Kyçe

“Paga minimale në Kosovë, më e ulëta në rajon”

“Paga minimale në Kosovë, më e ulëta në rajon”

Partia Socialdemokrate ka organizuar tryezë për të diskutuar mbi pagën minimale në Kosovë, me ç’rast u theksua se në Kosovë, është më e ulëta në rajon dhe se të gjithë ata që paguhen në pagën minimale janë harruar nga shteti dhe shoqëria.

Rritja e pagës minimale sipas kësaj partie do të ndikonte edhe në rritjen e ekonomisë, pasi do të rriste konsumin.

Nënkryetari i PSD-së, njëherësh deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri tha se paga minimale nuk i mbulon as për së afërmi kushtet për jetë dhe se kjo pagë po i lë punëtorët në pragun e varfërisë.

“Përcaktimi i pagës minimale duhet të burojë nga një proces gjithëpërfshirës demokratik në mes të partnerëve shoqëror”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, foli më shumë për strukturën e të punësuarve në Kosovë.

Sipas saj, kjo është në shpërputhje të plotë me bilancin gjinor sa i përket bazës materiale. Baftiu, tha se 80, 7 përqind e grave në Kosovë nuk kërkojnë pune fare për shkak të gjasave të vogla për t’u punësuar.

“Gratë e punësuara në sektorin privat kryesisht gjenden në dyqane të ndryshme ushqimore, butiqe, farmaci, rrobaqepësi, ku paga minimale është shumë e ulët, e shumë shpesh gratë punojnë pa kontrata”, tha ajo, shkruan KP.

Kurse, ligjëruesi universitar, Artan Mustafa, tha se për të pasur një pagë minimale të duhur, duhet të përcaktohet, siç thotë ai shkalla e pagës minimale bazuar në të ardhurat e disponueshme të familjeve

“Ne kemi rritje të GDP-së, bashkë me rritje të pabarazisë, rritja dhe barazia me të ardhura duhet të shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Ndërsa, Rritja e kohës së fundit është rritje e cilësisë së dobët”, shtoi ai.