Fjalë Kyçe

Pagesat për “Pastrimin” sërish përmes Komunës

Pagesat për “Pastrimin” sërish përmes Komunës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët e Prishtinës nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi” për mbeturinat në muajin janar.

Në fund të dhjetorit, Komuna pati bërë të ditur se nga 1 janari pagesa do të inkasohet nga Kompania Rajonale e Mbeturinave, ndërsa tani ka njoftuar për pezullim të rregullores së re.

“Pas pezullimit të plotësim ndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”, thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook.

E të hënën Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat, në ditën kur i skadoi kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i ka grumbulluar mbeturinat e qendrës së qytetit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar opozitën për “situatën alarmante” me mbeturina, duke thënë se rregullorja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e kanë ndaluar me rregullore operimin e kompanive private. Opozita i ka kundërshtuar akuzat.