Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është pajtuar se trajtimi i situatës në Kosovë duhet gjithashtu të lejojë zgjidhje “jashtë kutisë”.
Megjithatë, siç shkruan Agjencia e Lajmeve Sllovene – STA, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se një zgjidhje e tillë nuk duhet të bazohet në parimin etnik.
Një mendim të tillë, siç shkruan mediumi në fjalë, Pahor e ka dhënë bashkë me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Gjatë diskutimeve, thuhet tutje, dyshja kanë diskutuar edhe rreth Venezuelës për të cilën çështje kanë vlerësuar se një përdorim i forcës ushtarake për ndryshim është i papranueshëm.
Ndryshe, një deklaratë rreth Kosovës, presidenti slloven e kishte dhënë edhe gjatë një vizite, ditë më parë në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Zgjidhja e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës përmes korrigjimit të kufijve kërkon shumë mençuri.
Procesi nuk mund të sjellë dëme kolaterale për vendet e tjera në rajon. Është një mendim shumë i guximshëm, nuk do ta hidhja poshtë, por që do të isha shumë i kujdesshëm lidhur me këtë çështje”, kishte deklaruar Pahor.