Fjalë Kyçe

Paisje mbrojtëse personale që nuk dëmtojnë mjedisin

Paisje mbrojtëse personale që nuk dëmtojnë mjedisin

Ndër efektet negative të koronavirusit mund të jetë edhe ndikimi i tij tek mjedisi, për shkak të shtimit të paisjeve me një përdorim të mbrojtjes personale. Nga maskat e ripërdorshme dhe deri tek mburojat për fytyrën pa përbërje plastike, një organizatë në Mbretërinë e Bashkuar po ofron zgjidhje të qëndrueshme për mjedisin, ndërkohë që pandemia vazhdon.

Dorezat plastike të hedhura në anë të rrugës ose që mbushin koshat janë një kujtesë se pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar. Ndërsa vendet përpiqen të mbrojnë qytetarët e tyre, kërkesa për paisje mbrojtëse personale është rritur në mënyrë eksponenciale.

“Mendoj se të gjithë ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë rritje masive në prodhimin e plastikës që në të vërtetë bëhet në emër të COVID-19. Dhe një nga përdorimet kryesore janë mbrojtëset personale plastike”, thotë Sian Sutherland, bashkëthemeluese e organizatës “A Plastic Planet”.

Sipas organizatës “A Plastic Planet”, afro 750 milionë artikuj të mbrojtjes personale u shpërndanë për personelin e emergjencave në Mbretërinë e Bashkuar nga fundi i shkurtit deri në mes të prillit.

“Një përdorimshe, hiqen, futen në kosh, dhe do të ekzistojnë përgjithmonë nëse nuk digjen. Duhet t’i zëvendësojmë me diçka që është shumë më miqësore me natyrën”, thotë zonja Sutherland.

Siç dëshmon nëpërmjet përdorimit të materialeve joplastike, “Reelbrands”, një firmë e materialeve të qëndrueshme të paketimit, kohët e fundit ka filluar prodhimin e më shumë se një milion mburojave të fytyrës në javë që nga fillimi i qershorit.

“Përbëhet tërësisht nga material i tretshëm dhe i qëndrueshëm për mjedisin. Pra, pjesa e xhamit është e bërë nga druri i pemëve. Është e jashtëzakonshme që është i tejdukshëm, por është kështu. Dhe pjesa tjetër është bërë nga kartoni. E kemi hartuar në mënyrë që të jetë sa më e thjeshtë të jetë e mundur. Kështu që, sapo e merrni të paketuar në formë të sheshtë, e nxirrni dhe nuk ju duhen udhëzime për montimin. Thjesht e hapni dhe e vendosni drejt e në kokë”, thotë Ian Bates, bashkëthemelues i “Reelbrands”.

Ata gjithashtu planifikojnë të prodhojnë veshje mbrojtëse dhe doreza.

Ashtu si Reelbrands, kompani të tjera janë gjithashtu duke u përpjekur të bëjnë pjesën e tyre duke ofruar opsione më të qëndrueshme, si kompania britanike “OceanView”, me maskën e saj të ripërdorshme “VP195”. Kompania pretendon se maska me tre shtresa mund të lahet deri në 30 herë.

“Ideja se kaq shumë nga këto maska duhet të hidhen, se i veshim ato për një ditë dhe pastaj duhet të futen në kosh, thjesht duket çmenduri. Që të hedhim një pjesë kryesore të veshjeve tona, nuk është e qëndrueshme për mjedisin”, thotë Nicole Macdermott, e kompanisë “OceanView”.

Artikujt e mbrojtjes personale të hedhur poshtë mund t’i shtohen 13 milionë tonëve të plastikës që vlerësohet se derdhet në oqeanet tona çdo vit, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara për vitin 2018.