Fjalë Kyçe

Pak mjekë në QKUK, ankohen pacientët

Pak mjekë në QKUK, ankohen pacientët

Me ngritjen e temperaturave gjatë javëve të fundit është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e nëpër institucionet tjera publike mjekësore në vend.

Derisa vendi po përballet me temperatura të larta e që ditëve të fundit kanë arritur deri në 36 gradë Celsius, është rritur edhe numri i pacientëve të prekur me sëmundje kronike e me gjakderdhje në tru. Për shkak të motit të nxehtë Klinika Emergjente në kuadër të QKUK-së së fundmi është mbingarkuar me pacientë.

Mjeku kujdestar në këtë Klinikë, Avdush Bajgora, ka thënë për “Zërin” se kohëve të fundit është rritur jashtëzakonisht shumë numri i pacientëve në këtë klinikë. Sipas tij, ka raste të shtuara me gjakderdhje në tru e sëmundje kronike kardiovaskulare.

“Është shtuar jashtëzakonisht shumë numri i personave me sëmundje kronike kardiovaskulare. Kemi raste më të shtuara edhe me gjakderdhje në tru dhe kemi raste që vinë në gjendje të rëndë dhe e gjithë kjo si rezultat i ekspozimit në diell. Referencë imja është që prej orës 10 deri në orën 17:00 qytetarët t’u shmangen daljes nga shtëpitë”, ka thënë ai.

Bajgora ka thënë më tej se kanë numër të madh të pacientëve edhe për shkak të referimeve që bëhen nga qytetet tjera për në këtë klinikë. “Fakti më i keq është se ambulancat dhe shtëpitë e shëndetit nuk i trajtojnë të gjithë, por i sjellin te ne. Na vijnë pacientë nga Prishtina, nga Peja e nga Malisheva dhe me të vërtetë jemi në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë ai.

Ndonëse numri i pacientëve nëpër institucionet publike shëndetësore në vend është rritur, numri i mjekëve vlerësohet të jetë i vogël.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se numri i lartë i pacientëve është i papërballueshëm për numrin e vogël të punëtorëve. Sipas tij, edhe pse është shumë e vështirë që mjekët t’i dalin ballë këtij fluksi, ata janë duke arritur që t’ua japin shërbimet mjekësore pacientëve, Zëri.

“Vit për viti po rritet numri i pacientëve, pasi edhe mërgimtarët po vijnë në vend, por mungesa e stafit është duke e vështirësuar punën e punëtorëve shëndetësorë, jo vetëm në QKUK, por edhe në qendrat tjera të mjekësisë familjare dhe në institucionet tjera publike. Andaj në vazhdimësi kemi kërkuar që menaxhmenti t’i aranzhojë mirë edhe pushimet, të cilat do të merren në të ardhmen, por edhe të rritet numri i stafit mjekësor, në mënyrë që të ofrohen shërbimet”, ka thënë ai.