Ministri për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë e sheh si një lojë të madhe që nuk prek vetëm këto dy shtete.
Në një intervistë për ABC News, ish-kryeministri gjatë kohës së luftës së Kosovës, thotë se Pavarësia e Kosovës është realitet ndërkombëtar dhe Serbia do ta njohë një ditë.
“Nga të gjitha palët askush nuk toleron në këtë histori. Ka një politikë as mish as peshk që vjen nga Brukseli. Ka një qartësi nga politika gjermane dhe britanike, që kanë thënë se staus quo është e rëndësishme dhe jo nga interesat e tyre, por nga koncepte të kontratës ndërkombëtare që është e Ahtisarit. Vendimi i Gjykatës Ndërkomëbatre për çështjen e Kosovës dhe të drejtën për pavarësi të Kosovës nuk ishin akte që mund të diskutohen e rishikohen sepse dikush në Beograd do tolerojë për të njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Majko.
Sipas tij, “Pavarësia e Kosovës është një fakt juridik ndërkombëtar që në mos sot nesër do njihet nga të gjithë, kur Vuçiç është ky që është, po të vijë një vend tjetër në vend të tij”.
Ministri Majko me tej shton: “Unë do thosha që Kosova mos t’i shkëputet linjës së negociatave. Nuk diskutoj kutinë e Pandorës, diskutoj histori që po filluan vështirë se mbarojnë. Kërkesa e shumë faktorëve për kujdes që ne do jemi dakord me gjithçka që palët bien dakord nuk është dritë jeshile për çudira, por për të ndihmuar faktorin shqiptar. Kjo po kthehet në lodër të rrezikshme që nuk prek vetëm Kosovën apo marrëdhëniet rajonale. Është një lodër më komplekse dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos fluturojmë shumë lart”.