Fjalë Kyçe

Paralajmërimi i FBI-së/ Po u shkarkua Trump, mund të shpërthejë dhuna

Paralajmërimi i FBI-së/ Po u shkarkua Trump, mund të shpërthejë dhuna

Byroja Federale e Hetimit u ka dërguar një memo agjencive ligjzbatuese në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku paralajmëron për protesta të mundshme të armatosura në 50 shtete amerikane duke nisur nga 16 janari dhe thotë se një grup i armatosur ka kërcënuar gjithashtu të udhëtojë drejt Washingtonit në të njëjtën ditë, nëse Kongresi shkarkon presidentin aktual Donald Trump.

Memoja përmban edhe informacione nga departamenti i mbrojtjes si dhe të dhëna të grumbulluara nga rrjetet sociale, ku shihen me shqetësim thirrjet për të sulmuar ndërtesa administrative, federale e lokale nëse Trump largohet nga detyra para 20 janarit, kur bën betimin demokrati Joe Biden. Memoja del në dritë pikërisht atëherë kur Kryetarja e Dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzoi Trumpin për nxitje të kryengritjes, pesë ditë pasi turma e mbështetësve të presidentit sulmoi Kapitolin, në një përpjekje për të bllokuar Kongresin për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhje.

Pentagoni thuhet se po merr në konsideratë mundësinë që të dërgojë deri në 13,000 roje për të siguruar zonën në Ditën e Betimit të Biden. Protestuesit pro Trump-it e vunë në një trysni të pashembullt policinë e Kapitolit, e cila ishte shumë më e vogël në numër dhe qëndruan disa orë brenda ndërtesës, ndërkohë që personeli i sigurisë përpiqej të nxirrte ligjvënësit nga sallat. U deshën disa orë që autoritetet të rivendosnin kontrollin e ndërtesës.

Përfundimisht policisë së Kapitolit i erdhi ndihmë nga Garda Kombëtare si dhe nga policia lokale dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit. Pas sulmit, disa ligjvënës ngritën pikëpyetje mbi përgatitjen e policisë së Kapitolit.