Parlamenti Evropian e njohu presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, si udhëheqës de facto të këtij shteti, duke rritur kështu presionin ndërkombëtar mbi presidentin socialist të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Ligjvënësit e BE-së votuan me 429 vota për, 104 kundër dhe 88 abstenime në një sesion të posaçëm në Bruksel.
Ndonëse votimi nuk është i obligueshëm, Parlamenti Evropian, përmes një deklarate, kërkoi nga 28 qeveritë e BE-së ta konsiderojnë Guaidon “të vetmin president të përkohshëm legjitim” derisa të ketë “zgjedhje të reja presidenciale në Venezuelë, të lira, transparente dhe të besueshme”.
Guaido është vetëshpallur president javën e kaluar, pas protestave masive kundër Maduros.
Maduro ka nisur këtë muaj mandatin e dytë gjashtëvjeçar, por zgjedhjet, që janë mbajtur vitin e kaluar, janë konsideruar gjerësisht si jolegjitime.
Nën udhëheqjen e Maduros, ekonomia e Venezuelës ka rënë ndjeshëm, duke çuar në inflacion të lartë, mungesa ushqimesh dhe ndërprerje të rrymës, shkruan radioevropaelirë përcjellë Klan Kosova.
Maduro këmbëngul se nuk do të largohet nga pushteti dhe ai e ka mbështetjen e ushtrisë.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, shumica e vendeve në Amerikën Latine dhe të tjera e kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm.
Rusia, Turqia, Siria janë në mesin e vendeve që janë radhitur përkrah Maduros.