Fjalë Kyçe

Parlamenti i ri Evropian pritet të vazhdojë mbështetjen për zgjerimin e BE-së

Parlamenti i ri Evropian pritet të vazhdojë mbështetjen për zgjerimin e BE-së

Frika nga ndonjë rritje e madhe e së djathtës ekstreme në Parlamentin Evropian nuk është realizuar me gjithë rritjen relativisht të vogël të partive, të cilat i takojnë këtij spektri.

Ato parti, të cilat janë konsideruar si parti tradicionale proevropiane, do ta kenë shumicën e madhe edhe në përbërjen e re të Parlamentit Evropian që ka dalë nga zgjedhjet, që për funduan të dielën mbrëma.

Nga diplomatët në Bruksel konsiderohet lajm i mirë, si për procesin e zgjerimit, ashtu edhe për raportet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Kjo, sepse edhe në këtë përbërje do të ketë një shumicë të mjaftueshme të deputetëve, të cilët do të vazhdojnë të mbështesin angazhimin e BE-së me këto vende të rajonit, sikurse edhe procesin e integrimit të tyre në BE.

Sipas rezultateve që janë bërë të ditura deri më tash – dhe nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim dramatik as kur të bëhen zyrtare dhe përfundimtare – grupimet kryesore politike, me disa ndryshime, i kanë ruajtur pozitat që i kanë pasur edhe më herët.

Partia Popullore Evropiane (PPE) pritet të ketë 186 vende, që do të ishte 10 vende më shumë se në përbërjen e fundit. Grupimi socialist S&D do të ketë 135 vende, 4 më pak se në periudhën 2019-2024, Liberalët nga Renew pritet të kenë 79 vende që është për 23 vende më pak se herën e fundit, prandaj mund të konsiderohen si humbës të mëdhenj.

Por, së bashku këto tri grupe do të kenë rreth 400 vende në Parlamentin me 720 vende dhe – nëse merren vesh – mund të sigurojnë numrin e votave për vendimet kryesore të BE-së siç ka qenë edhe më herët, përfshirë edhe zgjerimin.

Në favor të zgjerimit, pos partive të përmendura, janë edhe: grupi i të Gjelbërve që do të ketë 53 vende dhe grupimi i Partive Konservatore ECR me 73 vende. ECR-ja është një parti e djathtë, por deputetët e këtij grupi në të kaluarën e kanë mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit.

E vetmja parti që ka qenë kundër zgjerimit ishte grupimi Identiteti dhe Demokracia (ID), që pritet t’i ketë 58 vende në Parlamentin Evropian. Eventualisht, mund të rritet ky numër varësisht se cilat parti do t’i bashkohen këtij grupimi, por si numër nuk parqet ndonjë rrezik për mbështetjen e procesit të zgjerimit nga ana e Parlamentit Evropian.

Për shumë vjet, e sidomos në përbërjen e fundit, Parlamenti Evropian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti ka mbështetur procesin e zgjerimit. Për me tepër Parlamenti ka kërkuar që ky proces edhe të përshpejtohet, që vendet kandidate të përfshihen në programet dhe strukturat e Bashkimit Evropian edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.

Parlamenti Evropian shpesh edhe ka kritikuar vendet anëtare që nuk po i përmbushin obligimet që BE-ja i ka marrë në raport me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vendet tjera të procesit të zgjerimit.

Para se të përfundonte puna e Parlamentit të fundit Evropian, në këtë institucion ishte miratuar edhe një propozim për reformat e BE-së në mënyrë që të mundësohet zgjerimi më i shpejtë i saj.

Mes masave, Parlamenti kishte propozuar edhe miratimin e disa vendimeve me shumicë të kualifikuar në Këshill, në mënyrë që të mos ketë bllokada të shpeshta nga ana e disa vendeve anëtare, të cilat përdorin anëtarësinë e tyre në BE për të penguar avancimin e vendeve fqinje për shkak të mospajtimeve bilaterale.

Në bazë të shpërndarjes së vendeve në seancën e re vlerësohet se kjo mbështetje e Parlamentit Evropian do të vazhdojë edhe në pesë vjetët e fundit.

Por, problem për zgjerimin mund të paraqesë rritja e ndikimit të partive të ekstremit të djathtë në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian. Disa diplomatë në Bruksel, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë tërhequr vërejtjen se këtu mund të ketë ndryshime në qasjen e disa shteteve. Kjo është e mundshme pasi vendimet për secilin hap në procesin e zgjerimit merren në Këshillin e BE-së me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Dhe, mjafton një që ta bllokojë.

Holanda përmendet si një vend që mund të paraqesë probleme në të ardhmen në këtë drejtim, pasi atje pritet të formohet Qeveria në krye të së cilës do të jetë për herë të parë e djathta ekstreme, më saktësisht Partia e Lirisë e udhëhequr nga Gert Wilders.

Kjo parti ka pasur qasje kritike ndaj zgjerimit dhe e ka kundërshtuar atë. Edhe pse ende formalisht nuk është formuar Qeveria në Holandë, bisedimet për një koalicion kanë përfunduar dhe është arritur pajtimi.

Holanda nuk pritet ta ndryshojë qasjen në mënyrë dramatike, sepse edhe partia e ekstremit të djathtë e cila do ta udhëheqë Qeverinë, është dashur të bëjë kompromise sa i përket zgjerimit.Mirëpo, është paralajmëruar se do të kërkojnë kufizime për vendet e reja anëtare të BE-së në çështje si: liria e lëvizjes së punëtorëve në tregun e përbashkët dhe qasje në disa fonde të BE-së.

Kufizimet e tilla, përtej asaj që i mundësojnë traktatet aktuale të BE-së, nuk janë të mundshme formalisht. Por insistimet e tilla tregojnë se në çfarë drejtimi mund të shkojnë qëndrimet e disa vendeve anëtare.

E djathta ekstreme ka shënuar rritje edhe në Austri dhe Belgjikë, ndërsa ka fituar në Francë. Prandaj, te qëndrimet e vendeve anëtare shihet rreziku potencial për procesin e zgjerimit të BE-së e jo te numri që partitë e ekstremit të djathtë e kanë siguruar në përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Disa deputetë nga përbërja e vjetër e Parlamentit, që janë rizgjedhur përsëri, por nuk duan të flasin publikisht për të respektuar formalisht procesin e konfirmimit zyrtar të zgjedhjes së tyre, besojnë se Parlamenti do të jetë një zë i fuqishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe për procesin e zgjerimit, i cili do të bëjë presion ndaj Komisionit dhe Këshillit që ky proces të jetë më i shpejtë./rel