Tajar bej Zavalani (1903-1966) njihet si publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar. Disa nga përkthimet e tij janë: “Sonata e Krojcerit” dhe “Ana Karenina” të Tolstojit, “Novelat” e Çehovit, “Nëna” e Gorkit, “Zonja me kamelje” e Alekasandër Dymas – të birit, “Tartarini e Taraskoni” të Alfons Dodesë, “Gobsekun” e Balzakut etj.
Shkroi librin “Histori e Shqipnis”. Megjithatë, Sylejman Pireva shprehet se figura e Zavalanit do të njihet më së miri përmes “Ditarit” të tij në gjuhën shqipe (botuar para pak javësh), ku mbase për herë të parë arrijmë ta njohim shumë më mirë personalitetin e tij, për jetën dhe angazhimin gjatë kohës sa ishte në ekzil së bashku me grupin e “aparatit” të mbretit Zogu, për raportet e drejtpërdrejta me të dhe me njerëzit e “kabinetit” të tij, emra të njohur për veprimet e tyre.
Aq më tepër mund të njihet në pjesën e dytë të librit: “Për së dyti në mërgim”. Veç të tjerash arrita të mësoj që Zavalani kishte pasur për grua motrën e Mithat Frashërit, e emrin e thirrur Kiki.