Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në fshatin Shtedim të Podujevës.
Sipas dëshmitarëve, dy vetura kanë garuar mes vete me ç’ rast edhe janë aksidentuar, ku për pasojë dyshohet se një këmbësor ka humbur jetën.
Nga Emergjenca e Podujevës për Llapi.info kanë thënë se nga po i njëjti aksident dy persona tjerë janë dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore.
Flora Ahmeti zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës ka treguar se një person ka ndërruar jetë pasi nuk mundi të përballojë plagët e shkaktuara në aksidentin që ndodhi në Podujevë.
“Rreth orës 14:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Podujevë- Merdare, saktësisht në fshatin Shtedim ka ndodhur në një aksident trafiku, mes dy automjeteve dhe një këmbësori. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona, njëri prej të cilëve (këmbësor), nuk ka arritur të përballoj plagët e shkaktuara nga aksideti dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës J.Z, 73 vjecar e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Të lënduarin janë derguar per tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.