Fjalë Kyçe

Pas sulmit në Ibër – Lepenc, IKSHPK del me njoftim: Nga sot uji mund të përdoret për pije

Pas sulmit në Ibër – Lepenc, IKSHPK del me njoftim: Nga sot uji mund të përdoret për pije

Që nga dita e parë e ngjarjes së fundit në kanalin Ibër-Lepenc (29.12.2024), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë (QRSHP) ka forcuar monitorimin e ujit për pije në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” dhe KRU”Mitrovica”, në Impiantet e trajtimit në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se nga sot uji mund të përdoret për pije.

“Nga data 29 nëntor deri me 06 dhjetor janë aplikuar restrikcionet në rrjetet shpërndarëse të këtyre dy kompanive si pasojë e veprimeve të ndërmarra për sanimin e gjendjes në kanal.

“Bazuar në të dhënat nga KRU ‘Mitrovica’ dhe KRU ‘Prishtina’ me aktivizimin e By-pass, furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar në të gjitha Impiantet e lartëcekura për trajtimin e ujit, prandaj që nga data 07.12.24 nuk ka pasur restrikcione që nënkupton furnizim me ujë për konsumatorët për nevoja teknike (higjieniko-sanitare).

IKSHPK gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartë cekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim, rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

“Prandaj bazuar në këto rezultate: Uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije.

IKSHPK i rekomandon KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes bazuar në UA 10/2021 ‘Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu’ “.

IKSHPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin e shprehur gjatë tërë kësaj periudhe dhe i siguron ata se do të vazhdojë me monitorim të rregullt të cilësisë së ujit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Bashkëpunimi i IKSHPK-së me KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” do te jetë i vazhdueshëm për të garantuar furnizim me ujë, në sasi dhe cilësi, për të gjithë qytetarët.

IKSHPK apelon te qytetarët që t’i referohen vetëm informatave zyrtare të IKSHPK-së dhe KRU-ve përkatëse.