Fjalë Kyçe

Pas zbutjes së pandemisë shtrenjtohet nafta në Kosovë

Pas zbutjes së pandemisë shtrenjtohet nafta në Kosovë

Gjatë pandemisë së coronavirusit çmimi i naftës ishte më i lirë në 20 vitet e fundit. Një litër naftë në disa pompa të benzinës mund ta gjeje edhe me 0.69 cent, kurse një litër benzinë me 0.70 cent.

Por pas lehtësimit të masave dhe rikthimit të plotë të lëvizjes, tashmë qytetarët që duan të furnizohen me derivate nuk mund të gjejnë çmime të tilla.

Sot thuajse në të gjitha pompat e derivateve, çmimi është nga 0.10 cent deri në rreth 0.20 cent më shtrenjtë.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve pranon se çmimi i derivateve është rritur, por thotë se është e lehtë dhe në suazat e normales.

Berjani thotë se çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC.

Kjo e fundit thotë Berjani ka reduktuar prodhimin andaj ka rritje të çmimit në tregjet botërore, çka reflekton edhe të tregun e Kosovës.

“Sa i përket çmimit në kohë pandemie çmimi i dizellit ka rënë në 0.68 cent, kurse benzina 0.70 cent, çmime të tilla kanë qenë para 20 viteve. Kurse sot çmimi i dizellit sillet 0.88 cent një litër dhe benzina 0.90 cent. Por qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion. Në Shqipëri sot sillen çmimet, dizelli 1.35 cent, kurse benzina 1.36 cent”, ka deklaruar Berjani.

Reporteri.net ka pyetur edhe Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, për rritjen e çmimit të derivateve, mos ka ndodh rritja e çmimit më herët se në bursat botërore.

Vlaon Prestreshi, drejtor i Autoritetit të Konkurrencës ka thënë se kanë në terren për t’i monitoruar çmimet e derivateve të naftës në këtë treg.

Ai thotë se nga monitorimet e bëra është vërejtur se tashmë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën.

“Më konkretisht, është vërejtur se dallimi i çmimit të derivateve mes kompanive në disa raste ka arritur deri në 9 centë, duke i mundësuar kështu konsumatorëve që të zgjedhin ndërmarrjet që ofrojnë çmimin më të ulët të këtij produkti apo më të lartë, bazuar në cilësinë e preferuar. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës synon që të avokojë tek ndërmarrjet për respektimin e politikave të konkurrencës dhe është e interesuar që kurdo që është e mundshme të evitohen dënimet. Në këtë kontekst, AKK shprehet e kënaqur për vetëdijesimin dhe disiplinimin e ndërmarrjeve të këtij tregu dhe fton të gjitha ndërmarrjet që të respektojnë politikat dhe ligjet e konkurrencës”, ka thënë Prestreshi për Reporteri.net.

Ai ka shtuar më tej se Autoriteti i Konkurrencës do të vazhdojë monitorimin sistematik të tregut dhe ju ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve dhe akterëve të tjerë që të lajmërojnë çfarëdo rasti që ata mund ta konsiderojnë si shkelje e konkurrencës.