Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës reagon ashpër ndaj Beogradit zyrtar në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes, duke thënë se pengesat në kufi po shkaktohen nga autoritetet kufitare serbe, gjë që ka çuar në një kohë të gjatë pritjeje për qytetarët që hyjnë në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës rithekson përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për qytetarët e Serbisë.
Ministria rikujton se sipas nenit 3 të Marrëveshjes së Brukselit për Lirinë e Lëvizjes ‘Secila palë mund të aplikojë një sistem përmes të cilit kartat e identitetit do të shoqërohen me dokumente të shkruara ‘hyrje / dalje’ për personat nga pala tjetër që dëshirojnë të kalojnë në një vend të tretë ”.
“Policia Kufitare e Kosovës po zbaton plotësisht Marrëveshjen e Brukselit dhe qytetarët serbë me letërnjoftim janë në gjendje të hyjnë në Kosovë pa asnjë pengesë. Kosova hedh poshtë të gjitha përpjekjet e lajmeve të rreme të Beogradit për të treguar një realitet tjetër të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes”, thuhet në reagim.
Për më tepër, MPJ thekson se Kosova mbetet e angazhuar për detyrimin e saj ndërkombëtar dhe se liria e lëvizjes do të sigurohet për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.