Fjalë Kyçe

Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Pas moshës së pensionimit (65 vjeç), qytetarët marrin një pension bazik prej 120 euro, shumë kjo që po konsiderohet e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e tyre të domosdoshme. Përveç kësaj, ata kanë edhe një shqetësim tjetër, të cilin shpresojnë se do të gjejë zgjidhje në vitin 2025. Ky shqetësim lidhet me kërkesën për paraqitje çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.

Në Organizatën e Pensionistëve të Prishtinës, janë krijuar disa hapësira për pensionistët që duan të kalojnë kohë të mirë dhe të angazhohen në aktivitete që ata pëlqejnë.

Kryetarja e kësaj organizate, Mybera Verbovci-Kasumi, në një intervistë për Telegrafin, bëri të ditur disa nga aktivitetet që bëhen.

“Organizata e Pensionistëve të Prishtinës, në kuadër të organizatës është aktivi i gruas pensioniste dhe janë klubet e shahut, dominove, letrave dhe zhvillohen poshtë disa aktivitete, te gratë mbahen ligjërata të ndryshme, njashtu edhe te meshkujt Po, kohën më të lirë këta e kalojnë këtu, domethënë duke luajtur me shah, me domino, me letra edhe jam munduar të bëjmë kushtet qysh është më së miri, theksoi ajo.

Kasumi po ashtu theksoi se tashmë janë duke u marrë me një projekt, e që ka për qëllim të mësojë pensionistët të përdorin internetin, në mënyrë që të mund të kryejnë disa pagesa dhe të mos kenë nevojë të presin në radhë të gjata, të rryma, banka, uji etj.

Në intervistën e dhënë për Telegrafin, ajo po ashtu tha se tashmë është viti i katërt që udhëheq me organizatën dhe se mundohet të ofrojë gjitha të mirat për pensionistët, derisa tha se është gruaja e parë që bën udhëheqjen e kësaj organizate.

Ajo theksoi se pensionistët janë të kënaqur më këtë organizatë, por që pakënaqësitë e tyre janë me pensionet e vogla.

“Asnjëherë viti i katërt nuk janë ardhë mu anku për diçka, nuk di që ju mungon diçka, ndërsa për pensionet tash na mundem me fol, pensionet ndoshta edhe pesëqind euro m’i pas, këtyre nuk iu dalin, se është inflacioni bukur i lartë, e dinë të gjithë, barnat kushtojnë. Një ditë vet kam shkuar me një pensionist në barnatore, dhe një bar i ka kushtuar katër dhjetë euro. Shtatë vite nuk janë rritur pensionet, po më duket që gjatë qeverisjes të PDK-së në atë kohë janë rrit pensionet edhe mo s’ka pasur rritje të pensioneve, e tash janë rrit pensionet njëzet për qind”, tha ajo, derisa tha që shpreson që të ketë rritje për pensionistë.

Ndërsa, pensionisti Adem Izmaku ka thënë se brenda organizatës kalon kohë shumë të mirë me shoqëri.

“Në këtë organizatë ne kalojmë kohë jashtëzakonisht të mirë, falë kryetares së organizatës këtu, e cila interesohet për ne. Ne e kalojmë kohën shumë mirë me shoqëri. Ne pensionistët prej orës dymbëdhjetë deri në ora shtatë jemi rregullisht këtu. E kalojmë kohën me shah, por ndërkohë edhe në ora një a dy dalim e pimë kafe shoqërisht. Kështu që kushtet na i kanë përmirësuar jashtëzakonisht kryetarja. Dihet edhe me stafin e vet që na ka ndihmuar edhe jetën po e kalojmë jashtëzakonisht mirë me këtë shoqëri’, theksoi ai për Telegrafin.

I pakënaqur me pensionin që merr u shpreh edhe Izmaku, derisa tha se tashmë çdo gjë është shtrenjtuar.

“Me pensionin që e marrim nuk jemi të kënaqur, sepse dihet dihet shtrenjtimi që është bërë, për shembull, veç m’i marrë një litër qumësht ka kushtuar pesëdhjetë centë, sot është një euro e gjysmë. Kështu që me pensione nuk jemi mirë, po besoj që do të bëhet mirë. Asnjë organizatë, asnjë institucion shtetëror nuk është i kënaqur me nivelin e pagave për momentin”, u shpreh ai.

Po ashtu, Izmaku tha që shpreson që të largohet kërkesa që pensionistët të paraqiten për të dëshmuar që janë gjallë çdo gjashtë muaj, pasi kjo është e mundimshme, dhe jo çdo pensionist mund të shkojë fizikisht për paraqitje. /Telegrafi/