Pentagoni autorizoi transferimin e një miliard dollarëve tek inxhinierët e ushtrisë amerikane për ndërtimin e një muri në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Këto janë fondet e para që lëshohen bazuar në emergjencën kombëtare, e cila është shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Me shpalljen e kësaj gjendjeje, ai e anashkalon Kongresin dhe mund të ndërtojë murin, për të cilin është zotuar qysh gjatë fushatës zgjedhore.
Demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, janë zotuar se do të protestojnë kundër këtij vendimi.
Fondet e ndara nga Pentagoni do të përdoren për të ndërtuar rreth 91 kilometra mur.
Trump këmbëngul se barriera fizike është e nevojshme për të parandaluar hyrjen e migrantëve të paligjshëm në SHBA.
Ai e cilëson situatën në kufirin jugor si “krizë”, por kritikët thonë se presidenti e ka fabrikuar emergjencën në kufi.
Në deklaratën e Pentagonit thuhet se ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan “ka autorizuar komandantin e Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë për të filluar planifikimin dhe ekzekutimin e një miliard dollarëve në mbështetje të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe të Doganave dhe Patrullës Kufitare”.