Fjalë Kyçe

Për 4 ditë, ATK-ja ndëshkoi 120 biznese për ngritje çmimesh e moslëshim kuponësh

Për 4 ditë, ATK-ja ndëshkoi 120 biznese për ngritje çmimesh e moslëshim kuponësh

Që nga dita e enjte, kur kapi paniku qytetarët për furnizim me mallra bazike si pasojë e frikës nga koronavirusi COVID-19, Administrata Tatimore e Kosovës ka ndëshkuar 120 biznese për ngritje të çmimeve.

Masat rigoroze ndaj bizneseve janë ndërmarrë veçanërisht kur ministri i Financave, Besnik Bislimi me vendim kërkoi nga ATK-ja që të ndëshkohen bizneset e pandershme.

Që nga ajo ditë, ATK-ja ka pranuar 3 mijë e 152 denoncime për shtrenjtim të produkteve.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për KosovaPress thotë se aktualisht numri i ankesave ka rënë në rreth 300.

“Nga të gjitha rastet e raportuara nga data 12 mars e deri sot, që në numër janë 3 mijë e 152 raste të raportuara deri mbrëmë, nga to janë trajtuar 971. Në kuadër të këtyre ankesave të denoncimit, ka raste që për të njëjtin tatimpagues me dhjetëra herë është bërë denoncimi dhe për të njëjtat produkte. Nga 971 raste të trajtuara, ka rezultuar që inspektorët tatimorë të gjejnë shkelje lidhur me denoncimet, dhe dërgojnë rastet për shqiptim të gjobave mandatore për 120 raste. Kjo nënkupton që 120 tatimpagues do të ndëshkohen. Përveç këtyre 120 rasteve për gjoba mandatore, janë edhe 34 raste të tjera të cilat janë dërguar në Inspektoratin e Tregut”, theksoi Murtezaj.

Të gjitha rastet e raportuara, sipas drejtorit, nuk janë se ndërlidhen me ngritjen e çmimeve, por edhe për moslëshim të kuponëve fiskalë.

“Ne si ATK kemi përgjegjësi administrimin dhe mbledhjen e tatimeve, por në këtë rast, meqenëse gjendemi në një situatë të jashtëzakonshme, kemi edhe detyrë shtesë, në këtë rast edhe monitorimin e procesit të ngritjes së çmimeve. Këto raste të konstatuara nuk janë se të gjitha ndërlidhen me ngritjen e çmimeve, por ka edhe që nuk janë pajisur me numër fiskal… Tek rastet e denoncuara, kryesisht kemi të bëjmë me një numër shumë të kufizuar të produkteve, kryesisht për miell, vaj, sheqer dhe krip, si dhe për produktet farmaceutike, higjienike, alkooli, maskat, dorezat dhe vitaminat C”, deklaroi ai.

Drejtori i ATK-së, në fund tha se nuk është qëllimi që t’i mbyllin bizneset dhe t’i fusin në burg biznesmenët, por qëllimi është që të normalizohen çmimet e produkteve bazë.