Ish-oficerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të Zonës Operative të Llapit, përfshirë edhe komandantin e Zonës, Rrustem Mustafën, i njohur me nofkën “Remi”, ishin dënuar më 2013 nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte.
Komandant “Remi” ishte pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit” që po gjykohej prej vitesh për krimet e pretenduara të luftës.
Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dhe i kishte dënuar me burgim tre eprorët e lartë të UÇK-së: Latif Gashin, i njohur si “Lata”, udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak, Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmetin, ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake.
Latif Gashi për pikën tetë të aktakuzës e cila pikë e ngarkonte atë për rrahje dhe tortura në qendrën e ndalimit në Llapashticë ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vjet burgim.
Gashi ishte i dënuar më parë edhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë në vitin 2009 për pikat 5 dhe 14 të aktakuzës së njëjtë, me nga 2 vjet për secilën vepër.
Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurit Latif Gashi i kishte unifikuar të dy dënimet dhe i kishte shqiptuar dënimin prej 6 vjetësh burg.
Pika 5 e aktakuzës ngarkonte Gashin dhe të tjerët se “nga tetori 1998 deri në prill 1999 në bashkëkryerje kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Llapashticë.
Sipas kësaj pike, Gashi dhe të pandehurit tjerë kanë mbajtur civilët në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor.