Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes ngajë vozitjes, ndërsa ka dhënë disa rekomandime.
Po ashtu ka njoftuar se që nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018 dhe të tjerët, 15, këtë vit.
“Në dy muajt e parë të këtij viti 15 persona që kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë. Nëse krahasohet me vitin 2018, janë katër veta më shumë që kanë humbur jetën për periudhën e njëjtë kohore. Vetëm sot kanë ndodhur katër të vdekur në dy aksidente të ndara. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik”.
Instituti Kombëtar shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qindra persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë. Deri tani është ndërmarrë shumë pak në parandalimin e tyre.
“Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes”.
Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.
Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirur të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve.
Instituti Kombëtar jep këto rekomandime:
Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.
Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.