Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka treguar se personi që u gjet i vdekur në makinën e djegur në Skënderaj, e për të cilin Policia e Kosovës po dyshohet se u vra, është ish-ushtarë i UÇK’së, shkruan Gazeta Expres.
Lushtaku ka zbuluar gjithashtu edhe identitetin e viktimës, duke treguar se bëhet fjalë për Ilir Zeqirin nga Kopiliqi i Epërm së Skendërajt.
Ai ka thënë se organet e drejtësisë duhet të sqarojnë rrethanat e vdekjes.
“Është tragjik lajmi i vdekjes së Ilir Zeqirit nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt. Ai ishte veteran i luftës dhe vëlla i dëshmorit Gazmend Zeqiri. Për shumë vite punoi ndershëm për ta siguruar bukën e gojës për familjen e tij. Pres nga organet e rendit që plotësisht të sqarojnë rrethanat e vdekjes.Ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime për familjen Zeqiri! SL”, ka shkruar ai.
Ndërkohë në një komunikatë të lëshuar sot nga Policia e Kosovës, rasti po hetohet si ‘vrasje e rëndë’, pasi që ka dyshime se i ndjeri I.Z, është vrarë para se të digjej bashkë me makinën.
Këto dyshime kanë lindur pasi në afërsi të vendit të ngjarjes Policia e Kosovës ka thënë se kanë gjetur gëzhoja të plumbave.