Në spitalin e përgjithshëm ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, sot është përuruar reparti i pediatrisë, ku morën pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndodhet sot në Mitrovicë, në përurimin e këtij reparti. Ai tha se investimi në këtë repart kap shumën prej rreth 1 milion eurosh, prej të cilave gjysma janë nga shoqata ‘Nëna Terezë’, nga Gjermania dhe gjysma tjetër nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.
Sipas tij, për dallim nga e kaluara ku ka pasur vetëm një dhomë me shtatë shtretër, tash do të jenë 11 dhoma me 25 shtretër dhe me pajisje modern të teknologjisë së fundit.
‘Është kënaqësi dhe nder për mua si kryeministër i Republikës së Kosovës, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorin e SSHKUK-së Elvir Azizi, që të jemi sot këtu në Mitrovicë me rastin e inaugurimit të repartit të pediatrisë…Investimi është rreth një milion euro, prej të cilave gjysma vijnë nga shoqata ‘Nëna Terezë’ nga Gjermania… dhe ‘Jetimat e Ballkanit’. Më herët në këtë repart ka pasur vetëm një dhomë me shtatë shtretër, janë kryer mbi 1 mijë hospitalizime brenda vitit dhe rreth 37 mijë vizita ambulantore, ndërsa tash do të jenë gjithsej 11 dhoma me 25 shtretër, ku njëra prej dhomave do të jetë edhe intensive. Do të ketë pajisje moderne mjekësore të teknologjisë së fundit të cilat natyrisht garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësi më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë të të gjithë pacientëve, të cilët do t’ia kenë nevojën këtij reparti të ri’, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, drejtoresha e spitalit në Mitrovicë, Laura Nushi, duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët mundësuar funksionalizimin e repartit të pediatrisë, ka thënë se sot është një ditë e madhe për qytetin e Mitrovicës dhe fëmijët e këtij qyteti.
Ajo premtoi se personeli i këtushëm do të angazhohet më shumë në ofrimin e ndihmës për pacientët që do të trajtohen në këtë repart.
‘Falënderoj kryeministrin Albin Kurti, si dhe ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët bënë të mundur revitalizimin dhe funksionalizimin e repartit të pediatrisë, zgjidhjen e një nyjeje tetë vjeçare. Do iu premtojmë se shërbimet për fëmijët e qytetit të Mitrovicës, do të jenë shumë më cilësore dhe do të jemi më të angazhuar dhe të përkushtuar që t’iu ofrojmë ndihmën tonë. Sot pra është një ditë e madhe për qytetin e Mitrovicës dhe për fëmijët e këtij qyteti… E gëzofshim të gjithë dhe urime të gjithëve’, theksoi Nushi.
Ndryshe, ky objekt i pediatrisë ishte ndërtuar në vitin 2016 me ndihmën e një organizate humanitare, por që për shkak të disa parregullsive në punime, nuk ka arritur të funksionalizohet deri më sot.