Jo temperaturat, por çmimet ‘përvëluese’ boshatisin plazhet në Shqipëri
Është 11 korrk, dhe temperaturat janë përvëluese – megjithatë plazhet në Shqipëri janë të boshatisura.
E gjithë kjo për shkak të ngritjes së çmimeve në gjithë vendin.
Një lexuese e Telegrafit, ka dërguar fotografi dhe video në redaksi, teksa shihen shezlonët bosh në Qeparo.
Ajo ka thënë se një çadër kushton 20 euro, ndërkaq edhe produktet e tjera ushqimore janë shtrenjtuar.
Edhe në plazhet e tjera bregdetare, turistët janë ankuar për rritjen enorme të çmimeve.
Apartamentet që vitin e kaluar mund të gjendeshin edhe me 25 euro, sivjet variojnë nga 30 deri në 100 euro për një natë, ndërsa dhomat në hotele nga 100 deri në 500 euro.
Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ka thënë të enjten se rritja e çmimeve me rreth 30 për qind është një fakt i pajustifikueshëm.
“Shumë plazhe, sidomos ato plazhet e jugut, kanë një kapacitet shfrytëzimi më pak se 50% deri më tani, po shkojmë drejt mesit të korrikut. Kishim një rritje drastike të çmimeve, e cila varionte nga 20-30 % për shkak të rënies së euros dhe për fat të keq vazhduan të mbajnë të njëjtin trend rritës. Nuk mund të rriten çmimet nga viti në vit, sepse nuk ka asnjë lloj kuptimi. E gjitha bota ka ca kritere dhe kriteret e rritjes variojnë nga 5, 6 dhe 8% maksimumi.”, tha ai.
Sipas Kasës ngritja e çmimeve ka lënë të pakënaqur edhe turistët e huaj, të cilët kanë paguar më shumë nga sa u është reklamuar.
“Krijon imazhin e keq, krijon atë perceptimin se atje nuk shkohet, sepse atje shumë shtrenjtë dhe nga ky perceptim mund të digjen edhe strukturat të tjera akomoduese, të cilat në fakt nuk kanë një rritje të çmimeve.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga turizmi në periudhën janar-mars 2024 arritën në 778 milionë euro nga 624 milionë sa ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por, sipas tyre, një turist shpenzoi më pak se një vit më parë.
Sivjet, një turist i huaj shpenzoi mesatarisht 513 euro, ndërsa në janar-mars të 2023-ës kjo shifër ishte 582 euro.
Më 18 qershor, Administrata Tatimore e Shqipërisë u bëri thirrje bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, ta deklarojnë numrin real të punonjësve si dhe pagat reale të tyre.
Në letrën sensibilizuese u tha se do të nisin kontrolle fizike dhe se do të ketë edhe masa ndëshkuese.
Vitin e kaluar, media ndërkombëtare e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.
“Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore”, tha atëkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.