Fjalë Kyçe

Përzgjidhet ofertuesi për ndërtim dhe mirëmbajtje të “Kosovës së Re”

Përzgjidhet ofertuesi për ndërtim dhe mirëmbajtje të “Kosovës së Re”

Contour Global dhe Qeveria e Kosovës njoftojnë se konsorciumi i kompanive të General Electric (“GE”) është përzgjedhur si Ofertuesi i Preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin (“EPC”) dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë (“LTM”) për Projektin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thekson se  siç është njoftuar në Shtator 2018, katër kompani të parakualifikuara u ftuan të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare, transmeton Klan Kosova.

GE, ContourGlobal dhe Qeveria e Kosovës planifikojnë qe të vazhdojnë negociata të mëtejshme me qëllim të arritjes së një marrëveshje mbi kushtet përfundimtare.

“Kjo shënon një hap kyç në zhvillimin e projektit Kosova e Re. Jemi të lumtur qe do të ecim përpara me një kompani të nivelit botëror, e cila ka angazhimin dhe aftësitë për të ndërtuar ‘Kosovën e Re’ në kohë dhe sipas standardeve më të larta teknike, mjedisore dhe të sigurisë. Ne, kemi qenë të kënaqur me procesin rigoroz të tenderimit dhe përgjigjen pozitive të marrë nga tregu”, ka thënë Karl Schnadt, Zëvendës-President Ekzekutiv dhe Kryeshef Operativ i ContourGlobal

Në anën tjetër Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e kënaqur me interesimin e madh të tregut për projektin Kosova e Re. Projekti pasqyron nevojën për kapacitet shtesë energjetik për të përmbushur nevojat afatgjate të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Përzgjedhja e GE-së si Ofertuesi i Preferuar e vë Kosovën një hap më afër arritjes së një rezultati të suksesshëm të këtij procesit të filluar shumë kohë më parë me mbështetjen e shumë institucioneve ndërkombëtare. Qeveria do të marrë pjesë në procesin e negociatave me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kushteve në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zbatimi i suksesshëm i këtij projekti ka potencialin për të ndryshuar perspektivën e përgjithshme ekonomike të vendit.”