Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik përpara stacionit të policisë në qendër të Prishtinës pas tentim-vrasjes së një gruaje dje në Bresje të Fushë Kosovës nga bashkëshorti i saj.
Një nga aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist tha se burri që e plagosi dje gruan e tij ishte arrestuar ditë më parë për dhunë në familje, e u lirua pas 48 orëve në procedurë të rregullt.
“Ajo çka pamë nga institucionet ishte një lojë e vazhdueshme për ta hedhur fajin te njëri-tjetri. E gjithë kjo, përderisa qeveria vazhdon të amnistojë të akuzuar për dhunë në familje teksa zotohet ta luftojë dhunën”.
“Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne rikujtojmë se për vajzat dhe gratë në Kosovë, çdo ditë është luftë. Luftë, për t’iu ikur plumbave e sopatave. E në këtë luftë, shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve duke i amnistuar dhe duke e mirëmbajtur patriarkalizmin”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ajo tha se Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e kthen gishtin nga policia, prokuroria e gjykatat, që sipas saj, në vazhdimësi tregojnë se “ky zinxhir është patriarkal dhe armik i grave”.
“Ne bëjmë thirrje për veprim. Kërkojmë nga institucionet e shoqëria që t’iu dal krah grave në luftën për çlirim, kudo që ajo zhvillohet”, tha ajo.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist shkroi në muret e stacionit të policisë “po i vrisni gratë”, si shenjë revolte pas rastit të fundit.