Policia e Kosovës ka shtuar numrin e zyrtarëve policorë pranë institucioneve e hapësirave të ndryshme anë e mbanë Kosovës.
Kjo pasi që drejtoria kundër terrorizmit në kuadër të Policisë se Kosovës ka kërkuar numër të shtuar të zyrtarëve policorë si masë parandaluese për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë pas sulmit që ka ndodhur në Zelandën e Re, raporton Koha Ditore.
Një gjë të tillë për gazetën e ka konfirmuar, drejtori i përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Rashit Qalaj.
Ai ka thënë se para disa minutash ka nisur të shtohet numri i policëve në pjesë të ndryshme të vendit.
“Ka rritje të pjesëtarëve të policisë në disa vende. Kryesisht në vende sensitive, afër objekteve të veçanta, e në vende të tjera që është vlerësuar”, ka thënë ai.
Sipas Qalajt nuk kanë informacione që ka planifikime që ndonjë sulm i tillë mund të ndodhë në Kosovë.
“Jo nuk ka asnjë informatë se mund të ketë ndonjë sulm. Është vetëm masë parandaluese”, ka thënë ai.