Policia e Holandës tha se ka arrestuar personin e tretë nën dyshimet për përfshirje në një sulm në tramvaj, të hënën në qytetin Utreht.
Tre vetë mbetën të vdekur nga të shtënat, ndërsa pesë të tjerë u plagosën.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik, Ties Kortmann, tha të martën se tre vetë ndodhen në paraburgim: sulmuesi i dyshuar, Gokmen Tanis, shtetas turk, dhe dy të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në të shtëna.
Kortmann tha se Tanis është duke u mbajtur nën dyshimet “për vrasje me motiv të mundshëm terrorist”, por shtoi se hetimet janë duke vazhduar.
Autoritetet thanë se nuk i kanë përjashtuar motivet e tjera të mundshme.
Një prokuror tha se mund të jenë në pyetje “arsyet familjare”, ndërsa mediat shtetërore të Turqisë cituan të afërm të të dyshuarit të kenë thënë se Tanis ka qëlluar një të afërm në tramvaj dhe më pas ka qëlluar të tjerët që kanë bërë përpjekje ta ndihmojnë atë, shkruan Rel.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se qeveria e tij po heton nëse incidenti ishte një sulm terrorist ose mosmarrëveshje familjare.
Mediat turke cituan Mehmet Tanisin, babain e të dyshuarit, të ketë thënë se djali i tij duhet të dënohet nëse gjendet përgjegjës.
Autoritetet në Utreht e ulën nivelin e kërcënimit të terrorizmit pas arrestimit të sulmuesit të dyshuar. Në një kohë të hënën, ai është rritur në shkallën më të lartë: pesë.