Fjalë Kyçe

“Polip” akordohet për edicionin jubilar

“Polip” akordohet për edicionin jubilar

Dashuria për letërsinë gjithmonë i ka bërë bashkë ndjekësit e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Leximi i një poezie a proze e diskutimet për letërsinë shpeshherë duke prekur edhe politikën, padrejtësitë në shoqëri, ekzilin, rolin e shkrimtarit e të ngjashme, kanë qenë shtyllat e Festivalit ndër vite. Mirëpo situata e krijuar për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 po del të jetë sfidë për të shënuar edicionin e sivjetmë.

I planifikuar fillimisht që të mbahej në muajin maj, “Polip” tani po synon që të mbahet gjatë muajit shtator. Organizatorët kanë përzgjedhur datat prej 11 deri më 14 shtator për shënimin e jubileut. Janë gati që të dalin në hapësira të hapura për të mbajtur aktivitetet e tyre, në mënyrë që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. I kanë të konfirmuar edhe emrat e shkrimtarëve mysafirë, dhe ekipi punues me entuziazëm është duke bërë përzgjedhjen e temës së sivjetshme. Po e refuzojnë si opsion mbajtjen e aktiviteteve online e agjenda e programit kanë thënë se do të jetë e ngjeshur me ngjarje të shumta dhe cilësore njëlloj si viteve të kaluara.

Koordinatorja e Festivalit, Lendita Idrizi, ka thënë se gati të gjithë autorët që kanë qenë të konfirmuar për këtë edicion kanë pranuar që të vijnë në shtator. Ka thënë se përjashtim bëjnë ata që tashmë kanë pasur projekte të tjera të planifikuara për këtë periudhë dhe ata që janë mbi moshën 65-vjeçare e që janë këshilluar nga mjekët e tyre që të mos udhëtojnë gjatë këtij viti. Por, përkundër kësaj, lista sjell emra të njohur të letërsisë.

Në mesin e mysafirëve për edicionin e dhjetë është shkrimtari grek Dimitris Lyacos, emri i të cilit është përmendur si kandidat për çmimin “Nobel” për letërsi, poetja dhe dramaturgia zvicerane Ariane von Graffenried, fituese e disa çmimeve letrare për tekstet e saj, si dhe kuratore e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Bazel, shkrimtari Faruk Shehiq, i cili jeton në Sarajevë e që studioi letërsinë pas luftës në Bosnjë- Hercegovinë, në të cilën shërbeu si toger dhe udhëhoqi një repart me 150 veta, e që për librin e tij debutues “Knjiga o Uni” u shpall fitues i Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi në vitin 2013.
Në mesin e tyre janë edhe poetja gjermane dhe autore e librave fiksion Anja Kampmann; shkrimtarja e lindur në Prizren e që jeton në Zvicër, Meral Kureyshi, që me “Elefanten im Garten” ishte nominuar për Çmimin për Librin e Zvicrës. Në listë janë edhe shkrimtari, poeti, gazetari, përkthyesi dhe muzikanti i ri nga Prishtina, Plator Gashi, poetja, dramaturgia e përkthyesja nga Zagrebi, Katja Gërçiq, libri i tretë i së cilës “Letters to Zita” është thënë se do të publikohet si libër këtë vit dhe do të shndërrohet edhe në shfaqje teatrale, poetja turke Nurduran Duman, libërthi i së cilës “Semi Circle” është përkthyer në anglisht, që punon si kolumniste në gazetën turke “Cumhuriyet”, shkrimtari serb Denijen Pauleviq, i cili gjatë periudhës 2013-2018 ishte përgjegjës për organizimin e festivalit “Balkan Days Festival”, Etrit Hassler, një nga pionierët e “Poetry Slam” në Zvicër ku performon që nga viti 2000 e shumë emra të tjerë.