Fjalë Kyçe

Politikanët ekstremë fajësojnë emigrantët për përhapjen e virusit në Itali

Politikanët ekstremë fajësojnë emigrantët për përhapjen e virusit në Itali

Në kohën kur po mbyllet sezoni i pushimeve verore në Itali, ngritja e numrit të rasteve të reja me COVID19 ka nxitur ngritje të ndjenjës antiemigrante, ani pse Qeveria njofton se emigrantët përbëjnë vetëm një hise të vogël të këtij problemi.

Presidenti i Sicilisë, Nello Musumeci, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha qendrave të emigrantëve në ishull në fundjavë, duke theksuar se është e pamundshme të parandalohet përhapja e sëmundjes në qendra strehimi. Dhe megjithëse gjykata bllokoi vendimin e tij duke vlerësuar se nuk kishte autoritet për këtë punë, veprimet e tij përbëjnë sfidë për Italinë në kohën kur politikanët e së djathtës ekstreme po mundohen të polarizojnë debatin për emigrantët në shtetin e goditur ashpër nga pandemia.

Kryetari ndërmjet dy zjarreve

Në Pozzallo, qytezë në jug të Sicilisë që ka numrin më të lartë të rasteve me infektime në mesin e emigrantëve të porsaardhur, Roberto Ammatuna, kryetari i qendrës së majtë i qytetit, është munduar të ruajë baraspeshën ndërmjet fluksit të koronavirusit me detyrimin për të shpëtuar emigrantët që po luftojnë për të mbijetuar në det. “Qytetarët tanë duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur, sepse ne jemi në vijat e frontit të Evropës”, ka deklaruar ai në një intervistë në zyrën me pamje kah ujërat e trazuara të Mesdheut.

“Askush nuk i dëshiron emigrantët që janë të sëmurë me COVID-19”, ka thënë ai, por “ne nuk mund të heqim dorë prej shpëtimit të njerëzve në det”. Në një javë të vetme gushti, 73 emigrantë u testuan pozitivë, prej 200 sish të karantinuar në Pozzallo.

Më shumë se 11 mijë e 700 emigrantë kanë arritur nga qershori në brigjet siciliane, dhe tre për qind prej tyre kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus pas mbërritjes ose gjatë karantinës së vendosur nga autoritetet italiane. Masat janë marrë brenda qendrave të vendosjes së emigrantëve për një periudhë të përkohshme.

Ndikim “minimal”

Por Franco Locatelli, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë së Italisë, trup këshillimor qeveritar, ka thënë se roli i emigrantëve në sjelljen e sëmundjes ngjitëse në Itali është “minimal”. Gjatë dy javëve të para të gushtit, rreth 25 për qind e rasteve të reja me sëmundje të regjistruara në vend ishin të njerëzve të ardhur nga jashtë, ka treguar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë i Italisë. Rreth gjysma e tyre ishin italianë, të cilët kishin udhëtuar jashtë vendit, dhe shumë të tjerë ishin të huaj që tashmë ka kohë që jetojnë në Itali, por që ishin kthyer nga vendet e prejardhjes.

Më pak se pesë për qind e numrit të përgjithshëm ishin raste të emigrantëve të rinj, tregojnë të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit. Italia ishte një prej vendeve më të goditura kur koronavirusi mbërtheu Evropën në pranverë, duke regjistruar më shumë se 35 mijë raste me vdekje, para se autoritetet të nisnin zbatimin e masave të serta për reduktimin e shkallës së përhapjes së koronavirusit. Me ardhjen e muajve të verës, nisi edhe zbutja e masave të kontrollit, por nisi edhe ngritja e rasteve të reja, shpesh të lidhura me të rinjtë që mblidheshin nëpër klube nate e ndeja të ndryshme.