Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar të premten ambasadorin Jeffrey Hovenier, ndërsa është diskutuar për zhvillimet në vend dhe rajon në kuadër të koordinimit të vazhdueshëm në mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Në njoftimin për media thuhet se në takimin me ambasadorin amerikan, presidentja Osmani ka ngritur çështjen e dialogut strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Po të premten Osmani ka pritur në takim edhe shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend si dhe bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen, të cilën EULEX-i ia ofron në luftimin e dhunës në baza gjinore, konkretisht në punën e misionit në ofrimin e asistencës për institucionet vendore për implementimin e Konventës së Stambollit.
“Me z. Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për sundimin e ligjit, duke vlerësuar rëndësinë e vettingut në sistemin e drejtësisë me ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore si i domosdoshëm për ta forcuar sundimin e ligjit, duke respektuar standardet më të larta ndërkombëtare sa i përket këtij procesi”, thuhet në njoftim.