Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se pas diskutimit dhe procesimit nga ana e Qeverisë për në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit, sot e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për Seancë të jashtëzakonshme me datë 3 Prill 2019 për shqyrtimin e këtij Projektligji.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin që ndalon lojërat e fatit. Përveç Lotarisë së Kosovës, asnjë kazino, bastore apo ndonjë objekt i kësaj natyre nuk do të mund të operojë më në vend pas miratimit të tij.
Projektligji, i cili u dërgua në Kuvend, parasheh ndalimin e lojërave të fatit për periudhën 10-vjeçare.
Ndërkohë, kujtojmë se një peticion prej më shumë se 11 mijë nënshkrimesh të qytetarëve të Suharekës, të cilët kërkuan shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit, është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Iniciativa për peticion erdhi pas vrasjes që ndodhi në një kazino në Suharekë dhe një tjetër në Lipjan.