Mbi 30 punëtorë të kompanisë për përpunimin e sfungjerit “Ventius Kosovo” kanë protestuar sot për shkak të vendimeve që kanë marrë nga menaxhmenti i ndërmarrjes për t’u larguar nga puna.
Protesta është mbajtur para objektit të fabrikës së dikurshme “Emin Duraku” në Gjakovë.
Ajete Nimani, njëra nga punëtorët e larguara, ka thënë për KALLXO.com se janë duke protestuar për shkak se janë larguar nga puna pa paralajmërim.
“Na kanë larguar dy reparte, të tekstilit dhe të mbulesave, mbi 160 punëtore”, tha Ajete Nimani.
“Trustin Pensional nuk na kanë paguar, vetëm 6 muaj kemi të paguar prej Trustit. Neve brenda ditës na kanë treguar që po na largojnë nga puna, as nuk na kanë lajmëruar paraprakisht”, tha ajo.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje menaxhmentit të kompanisë por ata nuk janë përgjigjur deri në kohën e publikimit të artikullit.
Punëtoret thanë që nuk janë lejuar t’i marrin as sendet e tyre.
Sipas protestuesve, në mesin e 160 punëtorëve, 55 prej tyre që nga 15 dhjetori janë pushim pa pagesë.
“Ende jemi në marrëdhënie pune me kontratë, nuk jemi thirrur për shkëputje të kontratës”, thanë punëtorët.