Fjalë Kyçe

Punëtorët e Aeroportit reagojnë, kërkojnë suspendimin e drejtorit të Limakut

Punëtorët e Aeroportit reagojnë, kërkojnë suspendimin e drejtorit të Limakut

Sindikata e Punëtoreve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka reaguar ndaj vendimit të “Limak Kosovo International” për suspendim nga puna të shefit të Njësisë për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aeroportit (AGL), Demë Elezaj.

Elezaj e kishte vlerësuar si kërcënuese për sigurinë e aeroplanëve e udhëtarëve gjendjen e infrastrukturës në Aeroportin e Prishtinës.

Elezaj kishte thënë se problemet u referohen punimeve në shtrirjen e kabllove të ndriçimit dhe vendosjes së pusetave. Vërejtjet nga eksperti u janë bërë të ditura autoriteteve të Aeroportit e edhe Qeverisë shumë kohë para se të bëhej finalizimi. Madje, një muaj pas lëshimit në punë, më 26 janar, defektet janë konstatuar edhe nga inspektimi i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Pas inspektimit të bërë nga ACC-ja, është thënë se tashmë janë sanuar problemet. Por KOHA është informuar se mbulimi i kabllove të rrymës në pistë është bërë me materialin “bitumen”, i cilësuar si material i rrezikshëm edhe nga ACC-ja e edhe nga shefi i AGL-së, Demë Elezaj.

Por në këtë “betejë” ka pësuar vetëm denoncuesi i problemeve në pistë, përkatësisht shefi i AGL-së, Demë Elezaj. Atij më 17 janar të këtij viti i është dhënë vërejtje me shkrim nga autoritetet e ANP-së, e më 1 shkurt edhe vendimi për suspendim nga puna.

E nga Sindikata e Punëtorëve e kanë pritur me shqetësim lajmin për suspendimin e Elezajt.

“Kjo tregon se Limaku e në veçanti drejtori i operimeve z. Gokmen Aritay, nuk çajnë kokën për ligje e standarde të sigurisë së Aviacionit. Dekurajojnë vazhdimisht raportuesit. Ajo çfarë ka bërë z. Demë Elezaj është për t’u shpërblyer e jo ndëshkuar. Limaku përmes Gokmen Aritay nuk e ka për herë të parë që ndëshkon sinjalizuesit, rasti i njëjtë kishte ndodhur edhe kur sinjalizuesit për rastin e valixheve janë përjashtuar nga puna pasi kishin raportuar. Raste të tjera vazhdojnë të penalizohen në forma të tjera sot e kësaj dite. Ftojmë organet e ndjekjes që të bëjnë një hetim profesional dhe të drejtë. Sipas mendimit tonë, hetim profesional e i drejtë do të ishte suspendimi i të gjithë personave, në rend të parë z. Gokmen Aritay, të cilët kanë qenë në dijeni për shkeljet e sigurisë të cilat apostrofohen në raportin e Aviacionit civil”, thuhet në reagimin e Bashkim Latifit, kryetarit të Sindikatës.