Në prag të Ditës së Punëtorëve, Instituti Demokrati i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin 1 vjeçar për shkeljet e të drejtave të punëtorëve të titulluar,”Të drejtat në letër”.
Me këtë rast, u tha se punëtorëve në Kosovë ende janë duke iu shkelur të drejtat elementare të punës, dhe fajtor për këtë u konsiderua dhe shteti, që sipas raportit përmes prokurimit publik është duke lejuar që t’iu shkelen të drejtat e punëtorëve.
Përfaqësuesi i KDI-së, Florent Spahija u shpreh se edhe gjatë vitit 2018 punëtorëve në Kosovë po iu shkeletn të drejtat bazë të punës dhe këto janë duke u bërë vazhdimisht sidomos në sektorin privat.
Për këtë, ai u tha problem është duke u bërë dhe mungesa e guximit të raportimit të rasteve për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës.
Duke përmendur publikimin e raportit, Spahija tha se ai përmban rreth 60 raste, ku sipas tij për shkelje të drejtave të punëtorëve në këtë raport prijnë punëtorët e sigurimit privat.
Spahija po ashtu theksoi se shkelje të të drejtave ka në gjithë Kosovën, që kanë të bëjnë kryesisht me mos marrjen e pagës, mos pagesën e trustin dhe orarin e stërgjatur.
Pjesë e këtij publikimi të raportit ishte dhe kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, i cili u pajtua se në sektorin privat vazhdimisht po ka shkelje, siç thotë ai pothuajse në të gjitha dispozitat e ligjit të punës.
Pavarësisht kësaj, Ibrahimi u shpreh se ka avancim për dallim nga viti i kaluar.
Për të ndryshuar këtë gjendje, KDI-ja dha disa rekomandime, ku disa nga to janë që të shtohet kapaciteti i inspektorëve të punës, dhe të ketë kampanja vetëdijësuese mbi të drejtat e punëtorëve.