Çezma e Vogël mezi pikon. Uji i së madhes gurgullon teksa lëshohet nëpër govatën e betontë me rënie të lehtë. Nuk kanë më shumë se nja dyqind metra largësi ajrore njëra prej tjetrës. Burojnë prej të njëjtit burim. Askush nuk e di arsyen e saktë pse kroi i vogël po bie vetëm pika uji në govatën me gurë e beton në rrethojën e xhamisë së fshatit.
Copëza tjegullash e gurësh thyejnë jeshilinën përreth. Pika-pika është ujitur vetvetiu lëndina vende-vende me barishte të egra.
Krejt ndryshe prej stolave dhe oborrit të mirëmbajtur të xhamisë me “klimë”. Zëra fëmijësh përzihen me gurgullimën e ujit të kroit të madh përballë shtëpive të lagjes së Lohajve. Riadi, Ndriçimi e Dioni freskojnë sytë e shuajnë etjen në tubin metalik.
“Pihet more, qysh nuk pihet!”, thotë Ndriçimi, që ndërron çehre se pse vihet në dyshim cilësia e ujit. Menjëherë shton: “Me kanë nuk e kishim pi”. Dy shokët ia aprovojnë fjalët me lëvizje koke.
Tretë janë nxënës të klasës së gjashtë në shkollën fillore të fshatit Mirash të Ferizajt, shkruan Koha Ditore.
Beqir Lohaj (67), i cili ka shtëpinë përballë, thotë se prej kohës së fëmijërisë ka pirë ujë te Çezma e Madhe.
“Gjithë kemi pi ujë na, e kemi përdorur për pije për vete, por i kemi çu edhe kafshët. Edhe ujë për me la tesha kanë bajtë me korita të drunit”, shton ai. “E te Çezma e Vogël te xhamia deri vonë, – para një dy vjetëve kur e shtrun rrugën i prekën gypat – ka pasë ujë si te Çezma e Madhe, por duket se prekën gypin e u zanë diçka”.
Lohaj për një gjë është i sigurt: “More, ke çfarë moti ke, dimër a thatë, uji i kroit kurrë nuk është shterë. Edhe në thatësinë më të madhe”.