Fjalë Kyçe

Putin nis vizitën në Korenë e Veriut

Putin nis vizitën në Korenë e Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin ka arritur të mërkurën në Korenë e Veriut, teksa dy shtetet synojnë të thellojnë bashkëpunimin që po vëzhgohet nga afër prej Shteteve të Bashkuara.

Mediat ruse kanë raportuar se Putin është pritur në Aeroportin e Phenianit prej liderit verikorean, Kim Jong Un.

Kjo është vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut pas 24 vjetëve.

Presidenti rus ka thënë para se të nisej se vlerëson mbështetjen që i ka dhënë Pheniani shtetit të tij për luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ai ka thënë se do të vazhdojë të kundërshtojë ato që i ka përshkruar si ambicie të Perëndimit “për të penguar vendosjen e një rendi botëror, të bazuar në drejtësi, dhe respekt reciprok për sovranitet, duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit”.

Putin po bën këtë vizitë teksa rriten shqetësimet se Pheniani po e furnizon Moskën me municione për të vazhduar luftën në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe avancimit teknologjik.

Dy vendet hedhin poshtë të gjitha deklaratat.

Rrugët e Phenianit janë dekoruar të martën me portretin e Putinit dhe flamujt rusë.

Putin ka thënë paraprakisht se Rusia dhe Koreja e Veriut do të zhvillojnë tregti dhe sisteme pagesash “që nuk kontrollohen prej Perëndimit” dhe që dy vendet kundërshtojnë sanksionet që u janë vënë, të cilat i ka konsideruar “ilegale, dhe kufizime të njëanshme”.

Koreja e Veriut është nën sanksione të ashpra të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për programet bërthamore dhe raketore, derisa Rusia përballet me sanksione të Perëndimit për luftën në Ukrainë.

Putin ka thënë se dy vendet do të zgjerojnë bashkëpunimin edhe në turizëm, kulturë dhe edukim.