Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës (PS-UP), shprehet e shqetësuar për rastin e studentit, Valdrin Januzi, i cili para pak ditësh u sulmua nga qentë.
Njoftimi i plotë:
Rrezikimi i jetës së studentëve nga qentë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës është problem i kamotshëm dhe fatkeqësisht Valdrini nuk do të jetë studenti i fundit i lënduar, deri sa ky problem të mos zgjidhet.
Andaj, PS-UP kërkon urgjentisht nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa ndaj qenve dhe t’i largojë ata nga hapësirat e universitetit, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e studentëve.
Duke vëzhguar këtë fenomen tash e një kohë të gjatë, PS-UP kërkon nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës rrethimin e Kampusit Universitar, për t’u shmangur probleme të tilla. Me këtë kërkesë organizata vitin e kaluar i ishte drejtuar Parlamentit Studentor, por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh.
Kështu që, Universiteti i Prishtinës së bashku me Komunën e Prishtinës, ftohen që të reflektojnë dhe të largojnë këtë rrezik që po i kanoset studentëve dhe qytetarëve të tjerë.
Urojmë që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë, ndërsa studentit i dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e tyre.