Fjalë Kyçe

Qeveria demokratike e Libisë merr kontrollin mbi një qytet të rëndësishëm

Qeveria demokratike e Libisë merr kontrollin mbi një qytet të rëndësishëm

Ushtria e Haftar po vuan një tjetër disfatë, pasi qeveria libiane e pranuar nga Kombet e Bashkuara, e ka vënë kontrollin mbi një tjetër qytet të rëndësishëm.

Qeveria Kombëtare e Libisë, e ka rikthyer kontrollin mbi qytetin strategjik Bani Walid që ndodhet në veriperëndim, nga forcat e komandantit ushtarak Khalifa Haftar, transmeton Telegrafi.

Zhvillimi i fundit vjen një ditë pasi qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara kapi qytetin Tarhuna, bastionin e fundit të Haftarit në veri-perëndim të Libisë, të cilin e përdorte si bazën kryesore kundër kryeqytetit, Tripoli. Disfata e ditës së djeshme, është një goditje e fortë për ushtrinë e Haftarit, që për 14 muaj po përpiqet të hyjë në kryeqytetin libian.

“Forcat e qeverisë hynë në qytet pa luftuar për shkak të bashkëpunimit të këshillit të pleqve, kryetarit të qytetit dhe civilëve me forcat qeveritare”, thuhet në raportin e Al Jazeera. Ky raport thekson se ushtria e Haftarit, u larguan nga qyteti para se forcat qeveritare të afroheshin në kufijtë veriorë të qytetit.

Shënjestër e qeverisë tani është Sirte, qyteti i lindjes së ish-diktatorit Muammar Gaddafi, ndërsa ka njoftuar për një ofensivë të re për të marrë qytetin, duke vendosur përforcime rreth zonës së Abu Grein.

“Lëvizja ushtarake në qytetin e Sirte, erdhi pasi bisedimet paqësore për të dorëzuar qytetin dështuan. Ka raporte se forcat ajrore të qeverisë në Abu Grein, shënjestruan automjetet e furnizuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe për forcat e Haftari”, thuhet në raport.

Gjatë muajit mars, qeveria libiane nisi “Operacionin Stuhia e Paqes” për t’ju kundërvënë sulmeve mbi kryeqytet dhe rishtazi rifitoi zona strategjike, përfshirë bazën ajrore al-Watiya.